Pasojat e një kontrate të “fshehur”
Prishtinë, 18 nëntor 2010 – Parimi i “zero transparencës” i zbatuar nga MTPT rreth procesit të ndërtimit të autostradës Morinë-Merdare ka filluar të gjenerojë pasoja serioze duke anashkaluar parimet bazë të transparencës dhe duke u përcjellë me një shkelje të vazhdueshme të ligjeve të Republikës së Kosovës.
Sot, në të përditshmen KOHA Ditore, është publikuar artikulli “Kontrata me Bechtel-Enka-n në kundërshtim me ligjin”. Sipas këtij artikulli, rezulton se “me këtë kontratë është paraparë që për operatorin që e ka fituar këtë tender t”i kryhen pagesa shtesë deri në 20 për qind të vlerës së përgjithshme të kontratës”. Ky detaj i kontratës është në kundërshtim të plotë me ligjin e Prokurimit Publik, sipas të cilit nuk lejohet ekzekutimi i pagesave për punë shtesë që kalojnë vlerën e 10 përqindëshit të vlerës totale të një projekti.
MTPT edhe në këtë rast po dëshmon se injoron kërkesat për transparencë në këtë proces si dhe po vazhdon me shkelje të rënda të ligjeve të Republikës së Kosovës siç është dëshmuar më herët me refuzimin që i ka bërë kërkesës së Lëvizjes FOL dhe organizatave tjera të shoqërisë civile në Kosovë për qasje në dokumentacionin e këtij tenderi, përkatësisht kontratën e autostradës Morinë-Merdare.
Lëvizja FOL, kërkon nga institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht nga MTPT që ta bëjë publike kontratën për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdare, në mënyrë që detajet e kësaj kontrate me interes publik të jenë transparente për qytetarët e Republikës së Kosovës, që njëherësh nga taksat e tyre është duke u ndërtuar ky projekt.