Partitë nuk zotohen për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar
Prishtinë, 30 nëntor 2010 – Lëvizja FOL shprehë zhgënjimin me mungesën e vullnetit nga ana e partive politike për të nënshkruar një deklaratë të zotimit për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Republikën e Kosovës.
Lëvizja FOL me 24 nëntor ka dërguar në adresat elektronike të drejtuesve të partive politike (LDK, PDK, AAK, AKR, FER dhe Vetëvendosje) një deklaratë të zotimit për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar e cila ka përmbajtur disa zotime konkrete të cilat do të kontribuojnë në efektivitetin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Partitë janë ftuar që sot në ora 11:00 të nënshkruajnë deklaratën, mirëpo asnjëra prej partive politike nuk është përgjigjur në ftesat e dërguara.
Injorimi i kësaj nisme nga ana e partive politike dërgon sinjale shqetësuese sa i përket cilësisë së agjendës së tyre anti-korrupsion, si dhe është indikator i mungesës së vullnetit politik për të bashkëpunuar me shoqërinë civile në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Lëvizja FOL, gjithashtu, me 10 nëntor ka dërguar tek të gjitha partitë politike një kërkesë, me anë të së cilës ka kërkuar që ato të bëjnë publike financat e tyre. Mirëpo, edhe këtë herë, FOL shprehë zhgënjimin e saj me mungesën e përgjigjeve nga ana e partive politike, për të bërë transparente burimet dhe financat në përputhje me Ligjin për Financimin e Partive Politike.