OJQ-të kërkojnë çuarjen në fund të hetimit të korrupsionit

Organizatat jo-qeveritare: Klubi për Politikë të Jashtme, Instituti për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ” BIRN-Kosova, Lëvizja FOL, Rrjeti i Grave te Kosovës, Internevs Kosova, Crossing Bridges, Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ), Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Instituti për Studime të Avancuara (GAP), Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtar (KCIC), Instituti Ballkanik i Politikave (IPOL), Syri i Vizionit, Iniciativa për Progres (INPO), Ndërtimi i Komuniteteve Mitrovicë (CBM), përmes një Deklarate të përbashkët për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës, i kanë shprehur mbështetje angazhimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe EULEX-it për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Kosovë.

“Qytetarët e Kosovës, bashkësia ndërkombëtare, si dhe Qeveria e Kosovës kanë kërkuar një angazhim konkret dhe të vendosur nga prokuroria dhe gjyqësia kosovare, duke theksuar se askush nuk është mbi ligjin”, thuhet në Deklaratë të këtyre OJQ-ve, e cila vazhdon:

“Përderisa përshëndesim angazhimin e Prokurorisë Speciale dhe EULEX që të hetojnë dyshimet për korrupsion, ne kërkojmë dhe presim që këto hetime të prodhojnë rezultate konkrete.

Një zmbrapsje nga iniciativa aktuale do të ishte një goditje shumë e dëmshme për Sundimin e Ligjit dhe sigurinë në Kosovë. Krimi i organizuar dhe Korrupsioni po e pengojnë të ardhmen Evropiane të Kosovës dhe luftimi i këtyre fenomeneve nuk guxon të lihet në mëshirën e agjendave të politikës ditore dhe interesave personale.

Reagimet e udhëheqësve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, si dhe të partisë më të madhe në vend, të bëra ditëve të fundit ndaj punës së organeve të drejtësisë, na bëjnë të shqetësohemi ngase lejojnë hapësirë për dyshime në përkushtimin e sinqertë të tyre në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Diskursi publik që Qeveria e vendit po ndërton ditëve të fundit, duke prezantuar punën e prokurorisë si ndërhyrje në institucionet e shtetit, përbën kërcënim për punën e pavarur të organeve të drejtësisë.

Tendencat për të prezantuar punën e organeve të drejtësisë si të rrezikshme për stabilitetin e vendit janë një kërcënim tjetër serioz për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Ndryshimi i retorikës së Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj Bashkësisë Ndërkombëtare pas bastisjeve në Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit është i papranueshëm për më tepër është i dëmshëm për interesat e vendit.

EULEX duhet të krijojë hapësirë për përfshirjen e Prokurorëve kosovarë si dhe të sigurojë se edhe pas përfundimit të Misionit EULEX, Prokuroria Kosovare do të jetë në gjendje që me sukses të ndjekë dhe luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Në këtë kontekst presim nga Prokurorët vendorë kosovarë që të përfshihen më aktivisht në procesin e hetimeve, grumbullimit të provave e dëshmive si dhe në përgatitjen e aktakuzave.

Procesi i filluar i hetimeve për korrupsion dhe krim të organizuar është hap shumë i rëndësishëm për ndërtimin e besueshmërisë së shoqërisë kosovare në sistemin e drejtësisë, që paraqet parakusht për funksionim të shtetit ligjor”, përfundon Deklarata.