Nisin hetimet ndaj prokurorëve Biraj dhe Uka

(Koha.net) Prishtinë, 14 tetor ” Ata që kryejnë hetime e ngrenë akuza do të jenë vetë objekt hetimesh. Zyra e prokurorit disiplinor, që funksionon në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka nisur të mërkurën një hetim kundër Metush Birajt, prokuror në Prokurorinë e Qarkut të Prizrenit, dhe Agron Ukës, prokuror nga Gjilani për të parë nëse kanë bërë shkelje, duke mos shkuar me kohë në gjykatë muajin e kaluar.

Të mërkurën, “Koha Ditore” ka raportuar se si këta dy prokurorë, ditën kur është dashur të mbahej seanca dëgjimore fiks 48 orë pas arrestimit të të dyshuarve, nuk kanë shkuar në seancë në orën 11:00, kohë kjo që ishte afati i fundit ligjor që të dyshuarit të mbaheshin në arrest, dhe janë bërë sebep që të dyshuarit t”i shpëtojnë paraburgimit. Bazuar në këtë raport, Zyra e prokurorit disiplinor ka nisur hetimet.

Nisjen e hetimeve e ka konfirmuar për gazetën koordinatori i hetimeve në Zyrën e prokurorit disiplinor, Kadri Begolli. “Ne sot kemi hapur hetim ex officio, bazuar në shkrimin e “Kohës Ditore”. Zyra jonë si pjesë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës e ka për detyrë t”i hetojë sjelljet e pahijshme të gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Për këtë rast ekziston një bazë e arsyeshme. Rrjedha e hetimit pastaj do të vërtetojë se a ka pasur sjellje të pahijshme”, ka thënë Begolli nëpërmjet telefonit. “Ne kemi hapur hetim disiplinor kundër këtyre dy prokurorëve në dy raste të ndara”, ka shtuar ai.
Prokurori Biraj ishte vonuar në seancë 45 minuta. Por vonesa e tij nuk kishte ndikuar te gjyqtari i procedurës paraprake Fillim Skoro, ani se kishin kaluar 45 minuta që gjashtë persona mbaheshin në ndalim në mënyrë të paligjshme.

Gjyqtari Skoro u kishte caktuar atyre nga një muaj paraburgim.

Burime brenda prokurorisë kanë bërë të ditur se vonesën e prokurorëve e ka shfrytëzuar mbrojtja si argument për moscaktimin e paraburgimit për të dyshuarit.
“Në rastin e Prizrenit mbrojta ka bërë ankesë kundër caktimit të paraburgimit brenda afatit ligjor, që është 24 orë. Për të shqyrtuar këtë ankesë është mbledhur një kolegj gjyqësor prej tre gjyqtarësh të shkallës së dytë dhe ua ka ndërprerë paraburgimin këtyre gjashtë personave. Argumenti që kishte ky kolegj ishte vonesa e prokurorit. Pikërisht kjo vonesë ka bërë që ata të lirohen”, ka thënë një burim brenda prokurorisë.

Në Gjilan, ndërkaq, prokurori tjetër që përfaqësonte organin e akuzës kundër pesë personave të tjerë, ishte vonuar një orë. E kur kishte shkuar në seancë nuk e kishte vendimin për nisjen e hetimeve, por vetëm kërkesën për paraburgim. Kjo nuk e ka bindur gjyqtarin e procedurës paraprake që të arrestuarve t”ua caktonte paraburgimin, por i ka liruar ata në procedurë të rregullt.
Sipas burimeve, mbrojtja kishte arritur që qysh në seancën e parë më 29 shtator ta bindte gjyqtarin që të mos ua caktonte paraburgimin pesë të dyshuarve të tjerë.
“Avokatët janë thirrur në vonesën e prokurorit dhe në argumentin se pas orës 11:00 të dyshuarit po mbaheshin në mënyrë të paligjshme, pasi që nuk kishte një vendim. Kjo e ka bindur gjyqtarin t”i lironte ata”, ka thënë burimi.

Të mërkurën, ka reaguar lëvizja “Fol” lidhur me vonesën e prokurorëve. Në një komunikatë për media kjo lëvizje ka kërkuar një hetim të hollësishëm për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarje.
“Fol” ka kërkuar nga kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, të urdhërojë një hetim për këtë vonesë. Lëvizja “Fol” po ashtu ka kërkuar edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, përkatësisht nga Zyra e prokurorit disiplinor të hetojë këtë rast, i cili jep sinjale të qarta se puna nuk është duke ecur mirë