Nga takimi i OJQ-ve me Presidentin e vendit, z. Fatmir Sejdiu
21 Qershor 2010 Përfaqësues të organizatave joqeveritare kanë takuar të hënën presidentin e vendit, Fatmir Sejdiu, me ç”rast kanë kërkuar nga ai që në kuadër të kompetencave që ka, të kthej në Kuvend Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetëve, tashmë të miratuar nga legjislativi. Të pranishëm në takim kanë qenë: Valdete Idrizi nga OJQ CMB, Ismet Kryeziu nga KDI, Ferdinand Nikolla nga FIQ dhe Ramadan Ilazi nga Lëvizja Fol. Sipas OJQ-ve, neni 22.1 i këtij Ligji, dëmton interesat e taksapaguesve, pasi parasheh që deputetët që kanë moshën 50 vjeçare të gëzojnë të drejtën e pensionit suplementar.
Përfaqësuesit e OJQ-ve kanë kërkuar nga Presidenti që në bazë të përgjegjësive kushtetuese të tij, ta kthej këtë ligj në Kuvend, në mënyrë që siç thanë ata, të zhvillohet një debat më i gjerë dhe të rregullohet çështja brengosëse e pensionimit të deputetëve, edhe me grupet tjera të përfshira në këtë çështje.
Në takim, përfaqësues të shoqërisë civile kanë thënë se ideja dhe brenga rreth këtij Ligji është norma e vlerës së pensionit suplementar. Ata kanë shpjeguar edhe përvojat e vendeve të tjera që nuk korrespondojnë me këtë ligj, ndërkohë kanë shtuar se mosha 50 vjeçare që një deputet të fitoj pensionin është diskriminuese dhe nuk është në përputhje me vlerat demokratike.
Nga ana e tij, Presidenti Sejdiu, duke i falënderuar përfaqësuesit e OJQ-ve për këtë mënyrë të trajtimit të kësaj çështjeje, ka premtuar se do ta angazhohet dhe do ta trajtoj këtë Ligj thellësisht me këshilltarët ligjor nga Zyra e Presidentit. Presidenti Sejdiu ka thënë se këtë çështje do ta shqyrtoj edhe në aspektin kushtetues dhe të drejtave të njeriut.
Po sot, në Presidencë ka arritur nga Kuvendi Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetëve, me ç”rast presidenti ka një afat kushtetues prej tetë ditësh për ta shqyrtuar para se ta miratoj.
Iniciativa e OJQ-ve ka ardhur ditë më parë, ku nëpërmjet një letre dërguar Presidentit, është kërkuar që të rikthehet projektligji për shqyrtim në Kuvend dhe të sfidohet neni 22.1 sipas të cilit: “Deputeti, pas përfundimit të mandatit, ka të drejtë për pension suplementar, nëse detyrën e deputetit në një mandat e ka ushtruar më gjatë se sa gjysma e kohëzgjatjes së mandatit të përcaktuar me ligj dhe e ka mbushur moshën 50 vjeçe.”
Në letër thuhet se përderisa mosha e pensionimit për shërbyesit civil në vend është 65 vjet dhe lartësia e pensionit përcaktohet sipas kontributeve të dhëna në Trustin Pensional gjatë karrierës së tyre, përfaqësuesit e popullit kanë privilegjuar veten e tyre duke përcaktuar moshën 50 vjeçare si moshë kur u takon pensioni suplementar me vetëm gjysmë mandati shërbim, dhe madje duke e bazuar atë në pagën e deputetit, e jo në pensionin mesatar në vend. Kjo nuk është e drejtë, veçanërisht kur kihet parasysh fakti se pensionistët kosovarë që kanë punuar mbi 40 vite për ndërtimin e këtij vendi, gëzojnë një pension simbolik prej vetëm 75 Euro në muaj.