Nënshkruhet Marrëveshja e Mirëkuptimit në mes të Lëvizjes FOL dhe Fakultetit Filozofik

Prishtinë 30 mars – Lëvizja FOL, në takimin e mbajtur me dekanin e Fakultetit Filozofik z. Bujar Dugolli, ka nënshkruar sot marrëveshjen e mirëkuptimit në vazhdën e bashkëpunimit me institucionet.

Promovimi i luftës kundër korrupsionit në sistemin e edukimit dhe përfshirja e studentëve në luftimin e kësaj dukurie është qëllimi i marrëveshjes së nënshkruar. Veç kësaj do të tentohet të rriten njohuritë e studentëve për këtë dukuri dhe të njëjtit do të kenë lehtësime që materialet e Qendrës së Edukimit Kundër Korrupsionit që funksionon në kuadër të Lëvizjes FOL, t’i përdorin për hulumtime, studime dhe zgjerim të njohurive mbi korrupsionin dhe format e trajtimit të tij në vendet e tjera.

Studentët do të orientohen për qasje sa më të lehtë në bibliotekën e kësaj Qendre dhe do të përfshihen në të gjitha aktivitetet që kjo Qendër ofron.

Kjo marrëveshje është pjesë e projektit të financuar nga Amasada Holandeze në Kosovë dhe tenton të rrisë bashkëpunimin mes Fakultetit Filozofik dhe Shoqërisë Civile.

Ngjashëm gjatë javës së kaluar, u nënshkrua një marrëveshje mirëkuptimi edhe me Fakultetin Juridik. Lëvizja FOL do të vazhdojë bashkëpunimin edhe me institucione të tjera.