Në periudhën Prill-Qershor, institucioni i Koordinatorit Nacional kundër Krimeve Ekonomike ka sekuestruar 290 mijë euro

Prishtinë, 09 gusht 2015 – Lëvizja FOL sot publikon statistikat anti-korrupsion të Policisë, Prokurorive, Gjykatave dhe Koordinatorit Nacional Kundër Krimeve Ekonomike për periudhën Prill–Qershor.

Siç tregojnë të dhënat e nxjerra nga këto statistika, Policia e Kosovës gjatë tre mujorit të dytë të vitit 2015 për veprën penale Marrje e Ryshfetit ka trajtuar vetëm 1 rast, e i cili rast është trajtuar me raport të veçantë të Prokurorit. Për veprën penale Dhënie e Ryshfetit ka trajtuar gjithsej 11 raste: ndaj 4 të dyshuarve është ngritur kallëzim penal, 4 raste të tjera janë dërguar në Prokurori me kryerës të njohur dhe 3 të dyshuar kanë përfunduar të arrestuar. Ndërkaq për veprën penale Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare Policia e Kosovës ka trajtuar 143 raste, ku ndaj 81 të dyshuarve është ngritur kallëzim penal, 13 të dyshuar kanë përfunduar të arrestuar, 23 rasteve kanë mbetur nën hetim dhe 26 raste të tjera janë dërguar në Prokurori me kryerës të njohur.

Prokuroria e Kosovës gjatë tre mujorit të dytë të vitit 2015 për veprën penale Marrje e Ryshfetit ka pasur gjithsej në punë lëndë që në total kanë implikuar 43 persona. Prej tyre, ka arritur të zgjidhë lëndë në të cilat kanë qenë të implikuar 5 persona, ndaj 1 personi është hedhur kallëzim penal, ndaj 3 personave është ngritur aktakuzë e drejtpërdrejtë dhe ndaj 1 personi tjetër është ngritur aktakuzë pas zhvillimit të hetimeve. Ndërkaq në fund të periudhës raportuese kanë mbetur të pazgjidhura gjithsej lëndë në të cilat kanë qenë të implikuar 38 persona. Për veprën penale Dhënie e Ryshfetit prokuroritë kanë pasur gjithsej në punë lëndë në të cilat kanë qenë të implikuar 23 persona. Prej këtyre lëndëve të trajtuara, prokuroritë kanë arritur t’i zgjidhin pjesërisht rastet e tilla, të cilat në total kanë implikuar vetëm 8 persona: ndaj 4 prej tyre është ngritur aktakuzë për dhënien e urdhrit ndëshkimor, ndaj 3 personave të tjerë është ngritur aktakuzë e drejtpërdrejtë dhe ndaj 1 person është ngritur aktakuzë pas zhvillimit të hetimeve. Ndërsa në fund të periudhës raportuese kanë mbetur të pazgjidhura gjithsej lëndë në të cilat kanë qenë të përfshirë 15 të dyshuar. Për veprën penale Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare prokuroritë kanë pasur gjithsej në punë lëndë që kanë implikuar 1434 persona, ku nga këto janë zgjidhur lëndë që kanë implikuar vetëm 145. Prej këtyre lëndëve të zgjidhura, ndaj 36 personave është hedhur kallëzimi penal, ndaj 25 personave janë pushuar hetimet, ndaj 4 personave është ngritur aktakuzë e drejtpërdrejt dhe ndaj 80 personave të tjerë kanë ngritur aktakuzë pas zhvillimit të hetimeve. Ndërsa lëndë që kanë implikuar 1289 persona kanë mbetur të pazgjidhura në fund të kësaj periudhe.

Gjykatat e Kosovës gjatë tre mujorit të dytë të vitit 2015 për veprën penale Marrje e Ryshfetit kanë pasur gjithsej në punë lëndë në të cilat kanë qenë të implikuar 11 persona, ku nga këto lëndë gjykatat kanë zgjidhur lëndë në të cilat kanë qenë të implikuar vetëm 9 persona, ndërsa lëndët ku kanë qenë të implikuar 85 persona kanë mbetur të pazgjidhura në fund të kësaj periudhe raportuese. Për veprën penale Dhënie e Ryshfetit gjykatat kanë pasur në punë gjithsej lëndë në të cilat kanë qenë të përfshirë 9 persona, ku lëndët që kanë përfshirë 7 persona gjykatat kanë arritur t’i zgjidhin, ndërsa lëndët ku kanë qenë të implikuar 31 persona kanë mbetur të pazgjidhura në fund të periudhës raportuese. Dhe për veprën penale Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare Gjykatat e Kosovës kanë pasur në punë gjithsej lëndë në të cilat kanë qenë të implikuar 79 persona, ku nga këto gjykatat i kanë zgjidhur lëndë në të cilat kanë qenë të implikuar vetëm 37 persona, ndërsa lëndët ku kanë qenë të implikuar 631 persona kanë mbetur të pazgjidhura në fund të kësaj periudhe.

Brenda kësaj periudhe, Lëvizja FOL ka bërë monitorimin edhe të Institucionit të Koordinatorit Nacional Kundër Krimeve Ekonomike. Sipas këtij institucioni, gjatë kësaj periudhe raportuese është marrë masa e ngrirjes së një vile diku në vlerë 50,000 €, 3 shtëpi vlera e të cilave shkon deri në 1 milion €, 1 banesë në vlerë 50,000 €, vetura në vlerë 200,000 €, 6 lokale në vlerë 300,000 €, si dhe tokë vlera e të cilës shkon rreth 7 milion €. Ndërkaq, brenda kësaj periudhe, institucioni i Koordinatorit Nacional kundër Krimeve Ekonomike ka sekuestruar një shumë prej 291,950 €.