Në Ditën e Punëtorëve reflektojmë për rritjen e numrit të aksidenteve në vendet e punës dhe nevojën për një mjedis më të sigurtë në punë
Prishtinë, 01 maj 2023 – Bazuar në statistikat e siguruara nga raportet e punës të Inspektoratit të punës, numri i aksidenteve të shkaktuara në vendet e punës ka shënuar rritje përgjatë viteve të fundit.
Në vitin 2020 në vendet e punës kanë ndodhur 176 aksidente, në vitin 2021 numri i tyre është rritur në 188, ndërsa në vitin 2022 numri i aksidenteve ka arritur në 394. Në total, gjatë këtyre tre viteve, kanë ndodhur 758 aksidente në vendet e punës, ku 40 prej tyre kanë përfunduar me fatalitet.
Pra brenda 3 vitesh, numri i aksidenteve të ndodhura në vendet e punës është rritur për 124 %.
Kjo rritje shqetësuese e numrit të aksidenteve në vendet e punës thekson nevojën për të vënë masa më të forta për garantimin e sigurisë në vendet e punës. Kjo mund të bëhet përmes sigurimit të kushteve më të favorshme, si dhe sensibilizimit të punonjësve rreth rrezikut të mundshëm në vendet e punës.
Infografikat në vijim paraqesin të dhënat statistikore të aksidenteve që kanë ndodhur në vendet e punës gjatë viteve 2020, 2021 dhe 2022, si dhe numri i personave që kanë përfunduar me pasoja të lehta, të rënda, si dhe me fatalitet si pasojë e këtyre aksidenteve.
Ky aktivitet është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të Projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të punës për grupet e cënueshme në tregun e punës”. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e Lëvizjes FOL dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, Advocacy Training and Resource Center – ATRC ose BIRN Kosovo.