Monitorimi i takimeve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Prishtinë, 30 janar 2023 – Lëvizja FOL, me mbështetjen e Departamentit të Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL) gjatë periudhës tetor – dhjetor 2022 ka monitoruar takimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) për të vlerësuar nivelin e transparencës dhe pajtueshmërinë e këtyre takimeve me Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Procesi i monitorimit është zhvilluar përmes pjesëmarrjes fizike në mbledhjet e KGjK-së, si dhe përmes platformës elektronike Zoom.
Gjatë kësaj periudhe tre-mujore, KGjK ka mbajtur gjithsej 10 takime, 2 prej të cilave ishin të mbyllura për publikun. Numri më i madh i këtyre takimeve është mbajtur gjatë muajit nëntor, përkatësisht 5 takime, ndërsa 2 takime janë mbajtur gjatë muajit tetor dhe 3 gjatë dhjetorit.
Vetëm 3 agjenda të këtyre takimeve janë publikuar në pajtueshmëri me kohën e paraparë në Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës për publikimin e agjendave dhe rendit të ditës, ku kërkohet që agjendat të publikohen 48 orë para takimeve, ndërsa 7 agjenda nuk janë publikuar me kohë.
Vlen të theksohet se përkthimi simultan gjatë mbledhjeve të këshillit është ofruar në të dy gjuhët zyrtare, mirëpo në platformën elektronike Zoom ka munguar përkthimi në gjuhën serbe.
Mesatarja e vonesave të fillimit të këtyre takimeve ishte 15 minuta.