Ministri Hoti shkel ligjin e prokurimit, ushtron ndikimin e tij në agjencitë e pavarura për tre tender
Prishtinë, 22 Nëntor 2016 – Lëvizja FOL, ka mbajtur konferencë për media, ku është publikuar raporti “(Pa)cenueshmëria e sistemit të prokurimit në Kosovë”. Në këtë raport janë gjetur shkelje të shumta ligjore në procesin nëpër të cilin kanë kaluar procedurat për tri lloje të ndryshme të furnizimeve dhe shërbimeve nga AQP-ja për institucionet qendrore.
Jeton Zulfaj, menaxher i programeve në Lëvizja FOL tha se FOL ka disa muaj që ka analizuar të gjitha të dhënat rreth procedurave të prokurimit për tre tenderë të shpallur nga AQP-ja në vitin 2015. “Tenderët për furnizim të institucioneve publike me material zyrtar, për shërbime të transportit ajror dhe për furnizim me goma për veturat zyrtare me vlerë rreth 12 milion EURO”, tha Zulfaj.
Sipas tij, Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka bërë shkelje ligjore gjatë kohës sa ka refuzuar nënshkrimin e tri kontratave me vlerë prej 12 milion EURO, mbi gjashtë muaj. “Ministri i Financave, Avdullah Hoti, nuk ka marrë për bazë qëllimshëm opinionin nga KRPP lidhur me interpretimin e ligjit të ri për prokurim publik dhe obligimin për nënshkrim të kontratave me vlerë të mëdha nga ana e Ministrit”, deklaroi ai.
Zulfaj tha se sipas hulumtimit nga FOL del se Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka ushtruar ndikim të paligjshëm mbi Drejtorin e AQP-së Mursel Rracaj kur i ka kërkuar procedimin e kontratave me mungesë të nënshkrimit të tij.
Sipas të gjeturave të këtij raporti Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka ushtruar presion mbi institucionet e pavarura sikurse OSHP, AQP dhe Auditori i përgjithshëm kur i ka ftuar në takim për të ju treguar si duhet vepruar dhe duke kërkuar këshillim. Ministri ka dëmtuar integritetin e institucioneve të pavarura.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, duke refuzuar nënshkrimin e kontratave me vlerë prej 12 milion EURO ka mundur të i shkaktoj dëm buxhetit të shtetit.
Gjithashtu edhe OSHP dhe Auditori i Përgjithshëm kanë vepruar jashtë ligjshëm kur kanë marrë pjesë në një takim të thirrur nga organi qeveritar për të marrë udhëzime se si të veprohet dhe për të këshilluar ministrin për të mos bërë shkelje ligjore.
Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).