Melos Ulluri – Fitues i vendit të dytë në Garën e Esesë kundër Korrupsion nga Lëvizja FOL

Melos Ulluri fitoi  vendin e dytë në garën për Esenë më të mirë kundër korrupsion. Esenë e Melosit mund ta lexoni më poshtë.

Pushteti Korrupton

Ese kundër korrupcionit nga Melos Ulluri

Student i Universitetit të Prishtinës – Fakulteti i Arteve

Prishtinë, tetor 2016

“Qeveritë e korruptuara udhëhiqen nga politikanë të korruptuar të cilët i udhëheqin institucionet e korruptuara të zbatimin e ligjit”

Steven Magee 

Korrupsioni si një fenomen negativ, është bërë problem mjaft serioz në shoqërinë tonë. Çdo institucion i vendit është i prekur nga kjo sëmundje, shtrirja e së cilës është pothuajse përtej imagjinatës. Si një problem kryesor me të cilin vendi ynë është duke u përballur, korrupsioni është ndër faktorët kryesor i cili po pengon zhvillimin ekonomik, shoqëror e politik të vendit si dhe po ngulfat realizimin e demokracisë. Fillimisht, ç’është korrupsioni? Sipas ligjit për Agjensinë Kundër Korrupsionit, me korrupsion nënkuptojmë: “çdo keqpërdorim të pushtetit apo çdo sjellje tjetër të personit zyrtar, personit përgjegjës apo personit tjetër me qëllim të arritjes së një përparësie apo përftimi të kundërligjshëm për veten apo për tjetrin” (03/L- 159, neni 1.3). Ndërsa sipas fjalorit (Merriam Webster Dictionary) korrupsioni definohet si: “Sjellje e pandershme apo e kundërligjshme veçanërisht nga njerëzit e pushtetshëm (si zyrtarë të qeverisë apo oficerë policie); veprimi i korruptimit të dikujt apo diçkaje; diçka që është ndryshuar nga forma origjinale.” Në të dy definicionet, korrupsioni po ka të bëjë fillimisht me pushtetin dhe zyrtarët në pushtet.

Posa të përmendet korrupsioni, gjëja e parë me të cilën më asocon kjo fjalë është qeveria dhe zyrtarët e lartë publik. Në këtë kontekst, fokusi kryesor i kësaj eseje do të jetë korrupsioni i institucioneve publike i cili është rezultat i pushtetit që kanë zyrtarët e lartë publik, dhe udhëheqësit e institucioneve e agjensioneve publike. Pra, është pushteti ai i cili të bën të korruptuar. Nëse i referohemi kuotizacionit të Steven Magee-t, të cilin e kam përmendur në krye të faqes, dhe i cili vlerëson se “qeveritë e korruptuara udhëhiqen nga politikanë të korruptuar” atëherë mbase dikush mund të nënkuptoj se jo çdo qeveri mund të jetë e korruptuar, dhe jo çdo pushtet mund të prodhoj efekte të korrupcionit. Mirëpo nëse politikanët janë të korruptuar, atëherë kemi një qeveri të korruptuar. Që një politikan të jet i korruptuar, ai duhet të ketë pushtet, dhe pushteti i’a siguron atij që të ketë kontroll mbi institucionet e zbatimit të ligjit e në këtë mënyrë të shpëtoj nga përgjegjësia dhe llogaridhënia.

Po ashtu Transparency International në raportin e tyre Indeksi i Përceptimit të Korrupsionit 2015, që në faqen e parë të raportit theksojnë se “as edhe një vend i vetëm kudo në botë nuk është i pakorruptuar”. Kam përshtypjen sikur korrupsioni është i pashmangshëm në pushtet. Transparency Internatioal gjithashtu thekson “Korrupsioni i sektorit publik nuk ka të bëj thjeshtë me paratë e taksapaguesve të cilat keqpërdoren. Institucionet dhe zyrtarët e korruptuar rrisin pabarazinë dhe shfrytëzimin – duke e mbajtur pasurinë në duart e disave dhe  duke e ngujuar në varfëri shumicën”. Në mesin e 168 vendeve të vlerësuara në vitin 2015, Kosova renditet e 103-ta, me rezultatin e indeksit 33. Indeksi i Përceptimit të Korrupsionit matë nivelin e korrupsionit në sektorin publik në mbarë botën. Rezultati perfekt sipas indeksit është 100, absolutisht i pakorruptuar dhe 0, tejet i korruptuar. Sipas indeksit mbi 6 miliard njerëz në botë jetojnë në një vend me probleme serioze të korrupcionit, dhe Kosova bën pjesë në mesin e vendeve me një shkallë mjaft të lartë të korrupsionit.

Për t’i bërë një analizë sa më konkrete kësaj çështje do të bëj një vështrim komparativ në mes të klasës udhëheqëse (sunduese) të vendit tonë dhe udhëheqësisë (sundimit) të derrave në Fermën e Kafshëve të shkrimtarit anglez George Orwell, një satirë e cila shpreh idenë e vet-qeverisjes nga kafshët. Njëra nga temat qendrore në Fermën e Kafshëve është efekti korruptues i pushtetit. Nisur nga fakti se pushtetarët tanë të plot-pushtetshëm janë burimi kryesor i korrupsionit, pandershmërisë, mashtrimit, krimit, ryshfetit, grabitjes, spekulimit, përfitimit e të ngjashme nënkupton se edhe në shoqërinë tonë gjeneruesi i të gjitha të kqijave është fuqia pushtetare dhe efekti i saj korruptues.

Pas rrebelimit të kafshëve dhe përmbysjes së pronarit të fermës, si lider i Fermës së Kafshëve vjen derri i quajtur Napoleon i cili fillimisht duket të jetë një lider i mirë dhe i cili përpiqet për të mirën e të gjithëve në fermë. Mirëpo për fat të keq, ai bëhet rob i lakmisë dhe pushtetit, dhe sa më shumë pushtet që merr,  aq më i korruptuar bëhet. Edhe pse Orwell Napoleonin e paralelizon me ish liderin komunist rus Stalinin, një paralele e tillë mund të bëhet edhe me “komandantët” tanë të cilët udhëhoqën luftën dhe e përfunduan atë mbi parimet e atdhedashurisë, lirisë dhe barazisë. Pas luftës, ata dukeshin të jenë të mirë dhe të kenë qëllime të mira. Me ardhjen në pushtet, për fat të keq, ata u bënë lakmitarë ngjashëm si derrat e Orwell-it, mbase edhe më lakmitarë, dhe fuqia e pushtetit i dehi dhe i zhveshi nga çdo parim për të cilin u patën përpjekur. Nga kjo shohim se korrupsioni është proporcional me lakminë për pushtet. Napoleoni duke qenë një derr dinak e egoist, në të njëjtën kohë edhe i menqur, arrinë të bëhet një diktator despotik i Fermës së Kafshëve duke i miratuar fjalët e Lord Action kur thot – “Pushteti korrupton, por pushteti absolut korrupton absolutisht”. Kjo dëshmon se shumë njerëz bëhen të rrezikshëm dhe të korruptuar kur kanë në dorë shumë pushtet. Ngjashëm, sundimtarët tanë, jo vetëm që e kanë zhytur popullin në varfëri, por kanë krijuar edhe një rend shoqëror që lirisht mund ta konsiderojmë si shtypje e popullit.

Te ne, njerëzit të identifikojnë pikëpamjet politike varësisht se në cilën kafene pin kafen, apo cilën gazetë ditore e lexon, e mos të flasim me cilët njerëz shoqërohesh, gjë që mund të t’kushtoj me vendin e punës ose nëse je në kërkim të një vendi pune të mos mund ta kesh kurrë. Pushteti ka arritur që përmes një lufte psiklogjike t’i bëj njerëzit frikacak, të dobët dhe të nënshtrueshëm. Te Orwell-i kemi Bokserin i cili është sylesh, besnik, dhe shumë punëtor. Janë këto disa epitete me të cilat Orwell e portretizon kalin e palodhshëm, por që në fakt u shkon për shtati shumicës së kafshëve në fermë. Këtu Orwell na bën me dije se shtypja e popullit nuk është gjithmonë rezultat i vetëm i motiveve dhe taktikave të udhëheqësve politik, por njëkohësisht është edhe rezultat i naivitetit dhe mungesës së arsimimit adekuat të popullit.

Edhe pse Bokseri e ndjen peshën e shtypjes, punon ditën e natën dhe racionet e ushqimit dita ditës i shkurtohen, kur ai përballet me ndonjë dilemë nuk është në gjendje të arsyetoj, të vlerësoj situatën në mënyrë logjike, por gjithmonë përsëritë në mendjen e tij frazën “Napoleoni ka gjithmonë të drejtë.” Po ashtu populli ynë, të cilin e portretizon më së miri Bokseri, në kohë zgjedhjesh voton klasën e caktuar politike, dhe menjëherë pas gjedhjeve fillon të ankohet duke e fajësuar qeverinë të cilën e ka zgjedhur vet. Dhe në zgjedhjet e radhës, në vend që të arsyetoj veprimet e ndryshme të mundshme, vepron njëlloj si gjithmonë. Kjo demonstron paaftësinë për të arsyetuar logjikisht dhe po ashtu edhe mungesën e vullnetit për të ndërmarrë diçka për ta ndryshuar situatën.

Paragrafi i fundit me të cilin përfundon libri, kur kafshët i shikojnë se si derrat fjalosen dhe luajnë letra me Pilkingtonin, fqinjin e tyre njeri dhe njerëz të tjerë në shtëpinë e fermës, dhe nuk janë në gjendje të dallojnë kush është kush, pra nuk mund të dallojnë derrat nga njerëzit, e bën shumë të qartë efektin e pushtetit për të korruptuar:

“Dymbëdhjetë zëra thërrisnin në kulmin e zemërimit dhe që të dymbëdhjetë nuk dalloheshin nga njëri – tjetri. Tani as mund të shtrohej më pyetja se ç’kishte ndodhur me turirin e derrave. Kafshët vazhduan të vështronin herë një derr e herë një njeri, pastaj përsëri një njeri e përsëri një derr, por ishte e pamundur të përcaktoje se çfarë ishte njëri e çfarë tjetri.”

Ky paragraf simbolizon qartë se më nuk ka asnjë dallim mes njerzve dhe derrave. Kjo më kujton situatën në të cilën aktualisht gjendemi. Kur është e vështirë të dallosh cili është cili. Ku çdo përpjekje për të ndyshuar diçka rezulton vetëm me ndërrimin e pozitave të të njëjtve udhëheqës që tashmë janë të degraduar moralisht deri në pikën e trishtimit.

Për fund, dua të theksoj edhe njëherë efektin korruptues të pushtetit, pra siç pamë nga shembujt e përmendur më sipër po del se kur disa njerzve u jepet pushtet, ata e përdorin atë për interesa vetijake, pasi që është natyra e pushtetit ajo e cila prodhon efekt korruptues mbi ata që e kanë atë. Në Fermën e Kafshëve derrat fillojnë t’i thejnë gradualisht shtatë urdhëresat, të cilat i kishin hartuar vet pas revolucionit dhe të cilat ishin parimet mbi të cilat do të qeverisej ferma, thjeshtë vetëm për shkak se krijojnë varësi nga pushteti dhe vazhdimisht dëshirojnë më shumë. Degradimi i parimeve të revolucionit më së miri ilustrohet ku nga shtatë urdhëresat në fund mbetet vetëm një “Të gjitha kafshët janë të barabarta mirëpo disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat.”

Burimet e cituara

  • Orwell, George, Ferma e kafshëve,
  • Transparency International, Corruption Perceptions Index 2015
  • Kuvendi i Republikës së Kosovës, Ligji nr. 03/L- 159 Për Agjencinë kundër korrupsionit
  • Merriam-Webster’s Learner’s Dictionary