Mbrojtja e Sinjalizuesve në Kosovë Mes Ligjit dhe Realitetit

Prishtinë, 10 dhjetor 2025- Lëvizja FOL ka organizuar tryezë  diskutimit “Mbrojtja e sinjalizuesve në Kosovë: Mes ligjit dhe realitetit”, në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2025”, e cila zhvillohet nga Koalicioni i OJQ-ve FOL, IKD dhe INPO, nën moton “Bashkë kundër korrupsionit”.

Drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani, tha se qëllimi i kësaj tryeze është të mbledhë në një vend sinjalizues, përfaqësues institucionalë, ekspertë ligjorë dhe organizata të shoqërisë civile, për të diskutuar sfidat dhe mundësitë në zbatimin praktik të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, sidomos në rastet kur preken interesa të mëdha ekonomike dhe buxheti i shtetit.

“Edhe pse Kosova ka një ligj relativisht të avancuar për mbrojtjen e sinjalizuesve, zbatimi i tij vazhdon të përballet me pengesa serioze: mungesë informimi nga shumë udhëheqës institucionalë, keqkuptim të rolit të ‘sinjalizuesit’ dhe ‘zyrtarit përgjegjës’ (si në rastin e KPK-së), si dhe vështirësi reale për të garantuar konfidencialitetin e raportimit”, u shpreh ajo.

Ajo shtoi se në sektorin privat situata është edhe më sfiduese: shumica e bizneseve nuk janë të informuara për ekzistimin e ligjit, mungon caktimi i zyrtarëve përgjegjës, inspektimet janë të pakta, nuk ka procedura kundërvajtëse të iniciuara, raportimi vjetor pothuajse mungon, dhe vetëm rreth 40% e të punësuarve shprehen të gatshëm të sinjalizojnë – një tregues i qartë i frikës dhe mosbesimit në mekanizmat aktualë.

Milot Shala, udhëheqës i Divizionit për Sinjalizim në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, tha se vetëdijësimi për sinjalizim është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Sipas tij, institucionet publike kanë raportuar 20 sinjalizime në vitin 2023, 50 raste në vitin 2024, dhe afër 90 raste këtë vit, çka përbën një dëshmi se sinjalizimi po shfrytëzohet gjithnjë e më shumë si mekanizëm ligjor.

Në tryezë foli edhe avokati Ardian Bajraktari, përfaqësues i sinjalizueses Makfirete Dibrani, udhëheqëse e Divizionit për Menaxhimin e Resurseve Ujore në MMPHI, e cila kishte raportuar keqpërdorime financiare brenda ministrisë. Ai tregoi reagimet institucionale, përfshirë përgjigjen e Policisë së Kosovës, duke theksuar se rasti i Dibranit ka ngritur një debat publik të rëndësishëm për guximin qytetar dhe ndikimin e sinjalizimit në mbrojtjen e buxhetit të shtetit.

Bajraktari po ashtu tha se znj. Dibrani është përballur me kërcënime, duke e cilësuar këtë si tregues të mungesës së angazhimit serioz institucional për trajtimin e rasteve të sinjalizimit.

Flamur Kabashi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se sinjalizuesit duhet të shihen si mbrojtës të interesit publik dhe të shtetit, e jo si kundërshtarë të institucioneve, siç shpesh perceptohen.