Matësi i së vërtetës

Matësi i së vërtetës

5 Qershor 2011
Deklarata: “Nuk është mirë për askënd që ne nuk kemi krijuar mekanizma të marrëveshjes, nuk kemi krijuar rrethana që jo rruga, por institucionet të jenë vendi ku gjendet zgjidhja.”
Autor: Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës
Data: 13 Maj 2011
Burimi: president-ksgov.net

Vlerësimi: E vërtetë

Arsyetimi: Institucionet e Kosovës nuk kanë arritur ende të krijojnë mekanizmat real për pjesëmarrje në vendimmarrje dhe përkitazi me këtë vlerësojmë si të vërtetë këtë deklaratë. Presidentja e vendit ka një mandat për unifikimin e klasës politike dhe duhet ta përdorë autoritetin e saj për krijimin e këtyre mekanizmave institucional për të rritur pjesëmarrjen qytetare në vendimmarrje. Ndryshe format e reagimit, përfshirë edhe protestat në rrugë, janë instrumente demokratike që shprehin vullnetin qytetar karshi zhvillimeve në vend dhe si të tilla nuk mund të ndalohen.

Deklarata: “Nga sot unë siguroj dhe garantoj gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe gjithë punëtorët e Kosovës, se falë politikave të qëndrueshme tona, shumë argumentuese dhe vendosmërisë sonë, kemi arritur marrëveshje me FMN-në dhe çështja e pagave është e zgjidhur njëherë e përgjithmonë.”
Autor: Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës,
Data: 01 Qershor 2011
Burimi: Koha ditore
Vlerësimi: E pavërtetë

Arsyetimi: Fondi Monetar Ndërkombëtar momentalisht ka përjashtuar Kosovën nga mundësia për të përfituar nga programet e saj, pikërisht ngaqë Qeveria e Kosovës nuk ka arritur marrëveshje me këtë institucion për vendimin e saj për rritjen e pagave në sektorin publik.

Deklarata: “S`ka hair prej tyre, ruana Zot prej EULEX-it”,
Autor: Bajram Rexhepi, Ministër i Punëve të Brendshme,
Data: 27 Prill 2011,
Burimi: koha.net
Vlerësimi: Kontradiktore

Arsyetimi: Derisa në intervistën për gazetën Koha Ditore z.Rexhepi akuzon EULEX-in për mos punë, në anën tjetër në raportin e prezantuar në Kuvendin e Kosovës, ai e përgënjeshtron vetveten duke thënë se: “Gjendja e përgjithshme e sigurisë dhe sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës është e qetë dhe stabile, por mund të klasifikohet në suaza të brishtësisë, sidomos në pjesën veriore të vendit, por e gjithë kjo nën kontroll, si rezultat i angazhimit të të gjitha institucioneve përgjegjëse të sigurisë, duke filluar nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, të cilët janë duke u angazhuar në ruajtjen e rendit dhe të situatës së sigurisë në këtë rajon, por edhe në tërë Republikën e Kosovës.”

Premtim programor: “Gjatë këtij mandati të qeverisë, reforma e administratës publike vazhdon të jetë një ndër prioritetet kryesore. Në shërbim të realizimit të këtij prioriteti qeveria ka bërë analizën e situatës në të gjitha segmentet e administratës publike, përmes programit të Rishikimit Funksional të qeverisë”
Autor: PROGRAMI I QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS 2011-2014
Data: Shkurt 2011
Burimi: Ueb faqja e Kryeministrisë
Vlerësimi: E pavërtetë

Arsyetimi: Veprimi i fundit i qeverisë së kolicionit për themelimin e Ministrisë së Diasporës është në kundërshtim me vetë programin e qeverisë dhe mbi të gjitha me Programin e Rishikimit Funksional të Qeverisë (Fridom). Derisa ky program thekson që: “Numri i portofoleve ministrore është një shqetësim i cili duhet të trajtohet. Kosova aktualisht ka më shumë ministri sesa shtetet e tjera të vogla të BE-së, që ndikojnë në kosto dhe koordinim të brendshëm. Objektiva duhet të jetë racionalizimi i përbërjes së qeverisë duke ri-rregulluar funksionet në disa ministri” , në anën tjetër Qeveria e Kosovës për nevojat koalicionit themelon edhe një ministri shtesë për të rritur numrin e ministrive në 19, ani pse raporti Fridom thekson numrin 18 të ministrive si numër të madh. Fridom thekson se Kosova ka numrin më të madh të ministrive krahasuar me shtete tjera evropiane, ani pse me GDP dukshëm më të vogël se ato vende.

Deklarata: “Unë mas pari nuk kam parti, jam a-partiak, nuk kam parti, AKR-ja i ka problemet e veta le t’merren me problemet e veta, nuk jam përgjegjës për ta… por sa i përket punës time dhe në mënyrë profesionale s’kam me ta asnjë lidhje.”
Autor: Behxhet Pacolli, President,
Data: 17 Mars 2011,
Burimi: emisioni Jeta në Kosovë, RTK
Vlerësimi: E pavërtetë

Arsyetimi: Janë dy arsye pse kjo deklaratë e z. Pacolli nuk qëndron. E para ka të bëjë me faktin se z. Pacolli ishte pjesëmarrës aktiv ne takimet tri-palëshe ndërmjet PDK-së, LDK-së dhe AKR-së, që rezultuan me një marrëveshje të cilën z. Pacolli e nënshkroi gjithashtu. Në këto takime s”ka dilemë se z. Pacolli ka përfaqësuar AKR-në ndryshe nuk do të kishte arsye që ai të ishte në këto takime. Si dhe arsyeja e dytë ka të bëjë me marrëveshjen e fundit për ristrukturimin e Qeverisë, e cila e bëri z. Pacolli zv. Kryeministër. Në deklaratat e z. Pacolli konfirmohen bisedimet ndërmjet tij dhe z. Thaçi për ndryshimin e marrëveshjes së koalicionit. Në emër të kujt negocioi z. Pacolli nëse ai nuk është më Kryetar i AKR-së”