Matësi i së vërtetës

“Jemi duke punuar me bindje të plotë me respektimin e plotë të transparencës, të të gjitha procedurave. Ky proces i aspekteve procedurale do të përfundojë së shpejti dhe me fillimin e muajve të parë të vjeshtës, do të fillojë definitivisht edhe ndërtimi i këtij projekti madhor”. Hashim Thaçi, Kryeministër, 27 korrik 2009 ” Mbledhja e Qeverisë

E PAVËRTETË

1 Punimet për autostradën nuk kanë nisur as në fund të dimrit, që do të thotë se premtimi i Thaçit ka huqur dy stinë.
2. Aspekti i procedurave për të cilat kryeministri ka thënë se do të përfundojnë brenda verës, nuk kanë përfunduar ende.
3. Negociatat dhe komplet procesin po e shoqëron jo-transparenca, pasi që ende nuk dihet shifra e saktë e kostos së ndërtimit të autostradës.
4. Ende nuk është e qartë se s”i do t”i kthejë qeveria kreditë që do të merren në bankat evropiane dhe botërore dhe sa kohë do të ketë për ta bërë një gjë të tillë.
5. Deklarata kishte ardhur edhe para se të niste procesi i shpronësimit të pronave nëpër trasenë ku do të kalonte autostrada. As mënyra e financimit nuk dihej në atë kohë, dhe deklarata më shumë u kuptua si pjesë e fushatës zgjedhore të PDK-së, për zgjedhjet lokale që mbaheshin pas pak muajsh.

“Unë nuk besoj që ka pasur ndonjë rast, ndonjë kërkesë, jo vetëm Agjencioni kundër-korrupsionit, po edhe mediat, apo kushdo tjetër, që ka bërë kërkesë në qeverinë e Kosovës, dhe nuk ka pasur qasje në ndonjë dokument, apo ndonjë procedurë” Hajredin Kuci, Zv/kryeministër, 30 dhjetor 2009, Kohavision

E PAVËRTETË

1. Një deklaratë e tillë lë të kuptohet se në Kosovë zbatimi i ligjit për qasje në dokumente zyrtare është i kënaqshëm gjë që nuk është e saktë.
2. Është e saktë që vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës publikohen edhe në ueb sajtin zyrtar të Kryeministrit të Republikës së Kosovës mirëpo vendimi Nr 01/97 i 4 dhjetorit 2009 për pagat retroaktive të ministrave/deputetë nuk është i postuar në faqen e internetit të qeverisë së Kosovës.
3. Qeveria e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje në kërkesën e OJQ INPO për informacion rreth këshilltarëve të jashtëm të Kryeministrit Thaçi.

“Institucionet e Republikës së Kosovës kanë ndërtuar një strategji të qartë për veriun, që do të implementohet dhe ka mbështetjen e plotë të bashkësisë ndërkombëtare. ” Kryeministri Hashim Thaçi, Gazeta Shqip 22 shkurt 2010

E PAVËRTETË

1. Strategjia për veriun nuk përkrahet nga e tërë bashkësia ndërkombëtare
2. Strategjia është përpiluar nga Qeveria me ndihmën e ICO-së. Bashkimi Evropian, si tërësi nuk e përkrah strategjinë, dhe nuk merret me të
3. EULEX që është mision evropian, dhe KFOR-i, mision i NATO-s nuk do të angazhohen për implementimin e strategjisë
4. ICO dëshiron ta përfshijë e pyes edhe Beogradin për strategjinë për veriun gjë që bie në kundërshtim me deklarimet e Qeverisë se Beogradi nuk do të pyetet për veriun

“Është hartuar dizajni dhe në fillim të muajit nëntor pritet lëshimi i targave të para me shenjat e Republikës së Kosovës. Lëshimi i targave të automjeteve është paraparë të bëhet në fund të korrikut, kjo nuk ka ndodhur për shkak të aspekteve teknike” Fisnik Rexhepi, këshilltar i ministri Pajaziti, 5 shtator 2008, Gazeta Express

E PAVËRTETË

1. 15 muaj pas këtij afati të paraparë nga Ministria e Punëve të Brendshme targat ende nuk janë vënë në qarkullim
2. MPB disa herë gjatë 2009-s ka dalë me afate e premtime për targat
3. Dyshime të shumta janë hedhur rreth tenderit për kompaninë që është dashur të prodhojë targat që do të vihen në qarkullim
4. Pajisja me targa kosovare ka qenë një nga premtimet e shpejta qeveritare si shenjë e shtetit të pavarur.

“Mbrëmë El Salvadori ka marrë vendim për njohjen e Republikës së Kosovës. Formalitetet e njohjes do të kryhen gjatë javës, ku njohja do të kalojë përmes parlamentit të këtij vendi. Nota verbale e njohjes do të arrijë në Kosovë brenda javës.” Behgjet Pacolli, kryetar i AKR-së, 2 qershor 2009, Bota Sot

E PAVËRTETË

1. Njohja nga El Salvadori nuk ka ndodhur 9 muaj pas kësaj deklarate të liderit të AKR-së, Pacolli
2. Pacolli ka qenë në inaugurimin e presidentit të ri dhe thotë se ka marrë premtimin për njohjen që nuk ka ndodhur kurrë
3. Lideri i AKR-së, disa herë ka folur me emra konkretë dhe me data për njohje që nuk kanë ndodhur asnjëherë
4. Së fundi, në dhjetor Pacolli deklaroi se Kosovën e ka njohur Guinea e Re, dhe se notën verbale do ta dërgonte në Ministrinë e Jashtme në janar, gjë që nuk ka ndodhur