Lëvizja FOL takon Sekretariatin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për Planin e Integritetit

Prishtinë, 15 janar 2026 – Lëvizja FOL, në bashkëpunim me Demokraci Plus, është duke implementuar projektin “Forcimi i transparencës dhe llogaridhënies përmes monitorimit të planeve të integritetit”, të mbështetur nga programi Matra i Ambasadës së Holandës në Kosovë.

Në kuadër të këtij projekti, Lëvizja FOL ka përzgjedhur Këshillin Prokurorial të Kosovës për të monitoruar Planin e Integritetit të këtij institucioni.

Në kuadër të angazhimeve për forcimin e integritetit dhe monitorimin e zbatimit të Planit të Integritetit, Lëvizja FOL mbajti një takim pune me Drejtorin e Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), z. Sami Istrefi, së bashku me udhëheqësit e njësive organizative të Sekretariatit.

Gjatë takimit u diskutua për draft-raportin analitik mbi Planin e Integritetit të KPK-së, si dhe për rekomandimet e ofruara lidhur me zbatimin e aktiviteteve përkatëse gjatë vitit 2026. U arrit pajtim i dyanshëm për integrimin e komenteve të njësive të Sekretariatit të KPK-së, me qëllim që raporti final të pasqyrojë masat ekzistuese dhe të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të integritetit institucional. Po ashtu, gjetjet dhe rekomandimet e raportit do të shërbejnë si bazë për hartimin e Planit të ri të Integritetit të sistemit prokurorial për periudhën 2027–2030.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Lëvizjes FOL shprehën gatishmërinë e plotë për bashkëpunim të vazhdueshëm me KPK-në, si në finalizimin e raportit analitik për Planin aktual të Integritetit, ashtu edhe në ofrimin e mbështetjes profesionale për hartimin e planit të ri.