Lëvizja FOL takon Komunën e Obiliqit për Planin e Integritetit

Obiliq, 31 korrik 2026 – Lëvizja FOL, në bashkëpunim me Demokraci Plus, është duke implementuar projektin “Forcimi i transparencës dhe llogaridhënies përmes monitorimit të planeve të integritetit”, të mbështetur nga programi Matra i Ambasadës së Holandës në Kosovë.

Në kuadër të këtij projekti, Lëvizja FOL ka përzgjedhur Komunën e Obiliqit për të monitoruar Planin e Integritetit të këtij institucioni në nivel lokal.

Në vazhdën e angazhimeve për forcimin e integritetit në qeverisjen lokale, Lëvizja FOL mbajti një takim pune me anëtarët e grupit punues për hartimin e Planit të Integritetit të Komunës së Obiliqit.

Gjatë takimit u diskutua për sfidat me të cilat grupi punues është përballur gjatë procesit të hartimit të këtij plani. Po ashtu, u prezantuan gjetjet e raportit të monitorimit për Planin e Integritetit të komunës, të cilat u pasuan nga një diskutim i hapur me anëtarët e grupit punues rreth gjetjeve dhe rekomandimeve të raportit.

Përfaqësuesit e Lëvizjes FOL shprehën gatishmërinë e tyre për bashkëpunim të vazhdueshëm me Komunën e Obiliqit, me qëllim që gjetjet dhe rekomandimet e raportit të kontribuojnë në përmirësimin e Planit të Integritetit dhe në forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në nivel komunal.