Lëvizja FOL: Qeveria po e humb betejën në luftën kundër korrupsionit
Qeveria e Kosovës, në krye me Hashim Thaçin, nuk ka vullnet politik për t”u ballafaquar me dukurinë e korrupcionit. Kjo qeveri e ka humbur betejën sa i përket luftës kundër korrupsionit, tha Ibrahim Makolli në tryezën e sotme të organizuar nga Lëvizja FOL, me temën “Aktivitetet institucionale në luftën kundër korrupsionit”.
Ibrahim Makolli (deputet në Kuvendin e Kosovës) theksoi se problemi kryesor nuk qëndron tek mungesa e mekanizmave ligjor për luftimin e korrupsionit, por te mungesa e vullnetit.
Sipas deputetit Makolli, Agjensioni Kosovar Kundër Korrupsionit (AKK) duhet të këtë më shumë mbështetje financiare dhe përkrahje nga Kuvendi i Kosovës, raporton KosovaLive.
“Po të kishte veprime më transparente dhe llogaridhënëse nga institucionet tona nuk do të kishim këto pasoja me të cilat jemi duke u ballafaquar tani”, tha Makolli. Qëllimi i kësaj tryeze ishte përmbledhja e aktiviteteve dhe ngjarjeve kryesore të cilat kanë karakterizuar institucionet e Kosovës në luftën kundër korrupsionit gjatë muajve të parë të vitit 2010.
Saranda Stublla, analiste nga Lëvizja Fol, ka përmbledhur të dhënat kryesore të raportit që përmbledh përgjigjet e institucioneve në luftën antikorrupsion, raport ky i publikuar javën e kaluar gjatë një konference për media.
Mentor Borovci (drejtor i Departamentit të Hetimeve në Agjensionin Kosovar Kundër Korrupsion), prezantoi raportin vjetor të Agjensionin Kosovar Kundër Korrupsion për vitin 2009.
Ai vuri në pah bashkëpunimin e mirë që ky agjension ka me prokurorinë e EULEX-it, përderisa me atë vendore niveli i bashkëpunimit është më i dobët. Si sfidë kryesore, Borovci tha se është mungesa e bashkëpunimit dhe koordinimit më të mirë ndërinstitucional, mospërkrahja adekuate dhe stimulimi jo i duhur financiar i zyrtarëve të këtij agjensioni.