Lëvizja FOL publikon Raportin ‘Monitoruesi i Korrupsionit’

Prishtinë ” 21 qershor 2010 –Lëvizja FOL ka mbajtur sot një Konferencë për Media, në të cilën është prezantuar Raporti i muajit gusht për aktivitetet institucionale në luftë kundër korrupsionit.

Zyrtari i Analizimit dhe Monitorimit në Lëvizjen FOL, Armend Mazreku, ka pohuar se: Nga 34 vendime të Qeverisë së Kosovës për muajin gusht as edhe një vendim i vetëm nuk ka qenë në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky muaj shënjon njëkohësisht edhe muajin më të dobët të aktiviteteve qeveritare në luftë kundër korrupsionit; Prokuroria Speciale e Kosovës është duke hetuar 73 raste të korrupsionit, 38 prej të cilave janë të profilit të lartë. Ndërkaq, në Veri të Kosovës janë duke u hetuar 25 raste, nga të cilat 6 konsiderohen me prioritet: për krim të organizuar dhe korrupsion; Gjyqësori i Kosovës për muajin korrik ka zgjidhur vetëm 3 lëndë që kanë të bëjnë me afera korruptive, ndërkaq 270 prej tyre kanë mbetur të pazgjidhura, duke demonstruar kështu një niveli mjaft të dobët të funksionimit të tij;

Në Policinë e Kosovës gjatë dy muajve (korrik dhe gusht) janë paraqitur 67 raste të shpërdorimit të detyrës zyrtare, 16 raste përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës, 11 raste marrje të ryshfetit dhe vetëm 1 rast dhënie të ryshfetit;

Nga 35 artikuj të publikuar nga gazetat e përditshme (Koha Ditore, Zëri, Kosova Sot dhe Express), vetëm 21 janë realizuar si tema, 9 lajme dhe 5 intervista. Derisa Koha Ditore dhe Zëri janë fokusuar më shumë në kritikat ndaj Ekzekutivit të vendit dhe ndërmarrjeve publike, kritikat e Kosova Sot janë përqendruar më shumë në Gjyqësorin e Kosovës. Ndërkaq, fokusi i gazetës Express kryesisht ka qenë tek dështimet e ministrive të LDK-së dhe të Komunës së Prishtinës; Në kuadër të Doganave të Kosovës janë paraqitur 2 raste: 1 rast për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe 1 rast për dëmtim të pronës së Doganave të Kosovës; Lëvizja FOL ka publikuar Raportin e saj “Trekëndëshi i Bermudës”, në të cilin është pasqyruar mungesa e bashkëpunimit ndër-institucional (Prokurori, AKK dhe EULEX) në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ky Projekt është përkrahur nga USAID përmes Programit për Fuqizimin Civile dhe i implementuar nga Instituti për Komunitete të Qëndrueshme (ISC).