Lëvizja FOL kërkon hetim lidhur me vonesën e dy Prokurorëve për të shkuar në Gjykatë

Lëvizja FOL kërkon hetim lidhur me vonesën e dy Prokurorëve për të shkuar në Gjykatë

Prishtinë, 13 Tetor 2010: Lëvizja FOL po përcjell më vëmendje zhvillimet në Gjyqësorin e Kosovë dhe në këtë kuadër përshëndet progresin substancial dhe zhvillimet pozitive pas procesit të riemërimit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
Megjithëse kemi progres, gjithashtu disa probleme në Gjyqësorin e Kosovës janë evidente. Rasti i fundit ku dy prokurorë njëri në Gjilan dhe tjetri në Prizren të cilët për arsyeje të pasqaruara janë vonuar për të shkuar në Gjykatën e Qarkut në Gjilan përkatësisht në Prizren është shqetësues.
Njëmbëdhjetë persona janë arrestuar më 27 Shtator të këtij viti nga Njësiti i Hetimeve për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren. Me urdhër të Prokurorit atyre u është caktuar masa e ndalimit policor prej (48) orësh për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer vepra penale shpërdorim të pozitës zyrtare, falsifikim i dokumenteve zyrtare, nxjerrje e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore dhe mashtrim.
Të arrestuarit një gjykatëse, një avokat, pesë zyrtarë të kadastrës, tre menaxherë- të ndërmarrjes PIK-Progres dhe një qytetar janë arrestuar pas një pune tetëmuajshe të policisë, rezultati i së cilës ka dalë se të dyshuarit në bashkëveprim me njëri-tjetrin kanë arritur që të falsifikojnë dhe të bëjnë bartjen e pronësisë nga pronat shoqërore të ndërmarrjes PIK-Progres tek persona privat, në mënyrë të kundërligjshme.
z. Metush Biraj, prokuror në Prokurorinë e Qarkut në Prizren si dhe z. Agron Uka, prokuror në Prokurorinë e Qarkut në Gjilan kanë munguar në ditën kur duhej të mbahej seanca dëgjimore për rastin e lartpërmendur megjithëse ishte afati i fundit ligjor për t”u mbajtur të dyshuarit në arrest. Ata kanë mbërritur në gjykatë gati një orë me vonesë. Si pasojë e kësaj vonese të arrestuarit i kanë shpëtuar paraburgimit.
Kjo vonesë mund të çojë në dëm punën tetë mujore hetimore të Policisë si dhe të vë në rrezik të gjithë dëshmitarët dhe kontribuuesit në ndërtimin e rastit.

Lëvizja FOL kërkon nga Kryeprokurori i Shtetit, z. Ismet Kabashi të urdhërojë një hetim për këtë vonesë. Lëvizja FOL po ashtu kërkon edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës përkatësisht nga Zyra e Prokurorit Disiplinor të hetojë këtë rast i cili hep sinjale të qarta se puna nuk është duke ecur mirë.

###