Lëvizja FOL dhe PIPS organizojnë diskutimin me temën “Ndikimi i korrupsionit në negociatat për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”
Prishtinë, 08 dhjetor 2023 – Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë e Lëvizjes FOL, të premten në tryezën e organizuar me temën “Ndikimi i korrupsionit në negociatat për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, ka thënë se ndikimi i korrupsionit në negociatat për anëtarësimin e Kosovës në BE, është i dukshëm dhe i drejtpërdrejtë.
Fillimisht, Demolli-Nimani tha se përderisa Kosova synon integrimin në BE, ndër problemet tjera sfidë mbetet korrupsioni.
“Kjo pengesë, jo vetëm që minon besimin e qytetarëve në institucionet tona, por edhe vë në dyshim seriozitetin e angazhimit tonë për vlerat evropiane”, tha ajo.
Sipas saj, korrupsioni pengon progresin e reformave, ndikon negativisht në ekonominë dhe krijon një imazh të paqëndrueshëm për vendin tonë, në sytë e partnerëve ndërkombëtarë.
E njëjta ka theksuar se është jetike që të ndërmarrim hapa konkret, për të luftuar këtë fenomen.
Sipas Demolli-Nimanit, ajo që shihet si nevojë e menjëhershme është zbatimi me rigorozitet i legjislacionin kundër korrupsionit.
“Kjo do të thotë, zbatim të plotë dhe të paanshëm të ligjeve, si dhe ndëshkimi i atyre që shkelin këto ligje, pa marrë parasysh pozitën apo statusin e tyre”, tha tutje ajo.
Demolli-Nimani, po ashtu, ka thënë se është thelbësore që institucionet tona të rrisin transparencën.
“Qytetarët duhet të kenë qasje të hapur në informacione mbi mënyrën se si merren vendimet dhe si shpenzohet paraja publike. Kjo do të ndihmonte në ndërtimin e një qeverisjeje më të përgjegjshme dhe në zvogëlimin e mundësive për korrupsion”, tha Demolli-Nimani.
Sipas saj, bashkëpunimi ndërkombëtar është çelësi dhe se Kosova duhet të punojë ngushtë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe organizatat ndërkombëtare për të ndërtuar kapacitete dhe për te ndarë praktikat më të mira në luftën kundër korrupsionit.
“Sepse në këtë mënyrë, ne jo vetëm që do të përmirësojmë shanset tona për anëtarësim në BE, por edhe do të ndërtojmë një Kosovë me të fortë, më të drejtë dhe më të qëndrueshme për të gjithë qytetarët tanë”, tha e njëjta.
Lëvizja FOL, të premten ka organizuar tryezën me temë diskutimi “Ndikimi i korrupsionit në negociatat për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, aktivitet ky në kuadër të “Javës Kundër Korrupsion 2023”, e cila organizohet me moton “Bashkë kundër Korrupsionit”, nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile, i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO).
Java Kundër Korrupsion organizohet falë mbështetjes së Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL).