Lëvizja FOL dhe AGK mbajtën trajnimin treditor për ngritjen e kapaciteteve të mediave

Istog, 3-5 nëntor 2026 – Lëvizja FOL dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), nga 3 deri më 5 nëntor, organizuan në Istog trajnimin treditor për ngritjen e kapaciteteve të mediave lokale, me fokus në sigurinë e gazetarëve, zhvillimin digjital të mediave dhe gazetarinë hulumtuese.

Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit patën mundësi të zgjerojnë njohuritë dhe të shkëmbejnë përvoja përmes tri moduleve tematike.

Në modulin e parë, Albert Zogaj trajtoi paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP), ndikimin e tyre në lirinë e medias, si dhe mekanizmat ligjorë për mbrojtjen e gazetarëve.

Moduli i dytë, i udhëhequr nga Valon Canhasi, u fokusua në SEO, algoritmet e rrjeteve sociale, zhvillimin e audiencës, strategjitë digjitale dhe modelet alternative të monetizimit të mediave.

Ndërkaq, Ardiana Thaçi Mehmeti udhëhoqi modulin e tretë kushtuar gazetarisë hulumtuese, teknikave të hulumtimit, verifikimit të burimeve, gazetarisë me të dhëna dhe prodhimit të lajmeve përmes telefonit mobil. Ky modul përfshiu edhe ushtrime praktike për verifikimin e informacionit.

Trajnimi shërbeu gjithashtu si hapësirë për diskutimin e nevojave të mediave (lokale) pjesëmarrëse dhe identifikimin e temave me interes publik që mund të zhvillohen në kuadër të projektit.

Ky aktivitet u organizua me mbështetjen e Programit #SustainMedia, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, dhe i zbatuar nga GIZ dhe DW Akademie