Kriza politike e institucionale ka ndaluar agjendën anti-krim dhe anti-korrupsion

Prishtinë, 21 Tetor 2010 – Lëvizja FOL shprehë shqetësimin e saj në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend, e të cilat kanë prodhuar një krizë institucionale, që do të dëmtoj proceset e shtet-ndërtimit dhe qeverisjen e mirë.

Në këtë kuptim, zhvillimet e fundit e kanë zhvendosur vëmendjen nga lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke u marrë me krizën e krijuar nga vetë politikanët në pushtet. Thirrja e lëvizjes FOL për më shumë vëmendje në këtë drejtim, nuk nënkupton që kriza të mos tejkalohet, por assesi nuk bën të shndërrohen në një alibi.
Planet e veprimit nga Prokuroria Speciale si dhe EULEX-i për ndjekjen e zyrtarëve dhe individëve të përfshirë në afera korrupsioni dhe krim të organizuar nuk duhet të shndërrohen ne letër pa vlerë. Gjyqësori duhet të angazhohet dhe të rrisë komunikimin me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në mënyrë që të parandalohet zgjedhja në poste publike e individëve që nuk kanë biografi të pastër për sa i përket korrupsionit dhe krimit të organizuar. Të mos përdorën zgjedhjet për të rehatuar dhe rehabilituar individët e korruptuar si dhe të përfshirë në krim të organizuar.

Nga kriza e prodhuar prej politikës, rrezikohet zhvillimi dhe mbarëvajtja e projekteve kapitale në Kosovë. Rreziku më së shumti prek investimet publike në infrastrukturën rrugore e cila përbën shumicën e investimeve kapitale. Projekte këto me një karakter strategjik dhe interes shtetëror, por që shpejt mund të shndërrohen në një mundësi të mirë për keqpërdorime të individëve në realizimin e kontratave publike për shkak të mungesës së mbikëqyrjes nga ana e institucioneve publike të Kosovës. Projekti i filluar i autostradës, i cili ka një karakter strategjik dhe interes shtetëror është shoqëruar me mungesë të transparencës qysh në fillimet e tij, e që mjaftë lehtë do të vazhdoj në këtë formë.

Çështja e financimit të partive politike në Kosovë, e në veçanti mungesa e transparencës së burimeve të financimit të fushatave të tyre zgjedhore prezanton një shqetësim thelbësor në luftën kundër korrupsionit. Kur mungojnë mekanizmat dhe institucionet të cilat do të siguronin llogaridhënie dhe transparencë të financimit të partive politike, fushatat zgjedhore mund të shndërrohen në një instrument për shpërlaje të parave. Ligji për Financimin e Partive Politike është pjesë e pakos legjislative kundër-korrupsionit që do të duhej të miratohej kohë më parë, mirëpo pa-arsyeje (përveç atyre politike) ky ligj është penguar të procedohet për aprovim dhe tani kriza politike e institucionale kontribuon mos nxjerrjes së këtij ligji. Kërkojmë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të insistoj tek transparenca e prejardhjes dhe financave të partive politike.

Për shkak të krizës në të cilën është futur shteti, procesi i emërimit të Prokurorëve ka ngecur duke pamundësuar kompletimin me prokurorë të Prokurorisë së Shtetit, veçmas në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë, ku janë të koncentruar mbi 90% e dosjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se përgjegjësia për ta menaxhuar dhe për ta tejkaluar këtë situatë është e politikanëve, që kanë marrë besimin e qytetarëve përmes votave. Nga përgjegjësia nuk mund të amnistohen as partitë politike parlamentare dhe jo-parlamentare.

Lëvizja FOL kërkon nga të gjitha institucionet relevante që, në kohën e krizës institucionale e politike, të reflektojnë maturi në veprimet e tyre, përgjegjshmëri në vendimet e tyre dhe llogaridhënie karshi interesave të qytetarëve të Kosovës.
Lëvizja FOL apelon tek të gjitha institucionet publike në Kosovë që ta marrin seriozisht luftën kundër korrupsionit, sepse, ky fenomen, jo vetëm që është duke goditur drejtpërdrejt interesat e qytetarëve të Kosovës, por është duke ndikuar negativisht edhe në planin e jashtëm, atë ndërkombëtar.