Kosovës i vihet perdja e zezë
19 Dhjetor, 2009 – Lëvizja FOL së bashku me Instituti Ballkanik i Politikave (IPOL) dhe Iniciativën për Progres(INPO), organizuan performancë para NEW BORN-it, ku përmes mbulimit të kësaj skulpture me perden të zezë u reagua për izolimin e Kosovës.
Seb Bytyqi, drejtor ekzekutiv i Instituti Ballkanik i Politikave (IPOL), deklaroj: “Më 19 dhjetor 2009 hiqen vizat për qytetarët e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të zi për të udhëtuar për në vendet e Bashkimit Evropian. Kjo ka ardhur si rezultat i procesit të liberalizimit të vizave që BE kishte inicuar me këto shtete. Ndërsa, një proces i tillë nuk është inicuar ende me Kosovën. Përderisa, Evropa gjatë Luftës së ftohtë ka qenë e ndarë nga Perdja e hekurt mes shteteve kapitaliste dhe komuniste, sot ajo ndahet nga një Perde e zezë mes shteteve të Bashkimit Evropian dhe atyre që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së”. Sipas tij, shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Kosovën, BE -ja u ka premtuar anëtarësim dhe në fazën e ndërmjetme, udhëtim pa viza për qytetarët e tyre, nëse ato plotësojnë disa kritere. “Sivjet janë bërë 20 vjet nga rënia e Murit të Berlinit dhe Perdes së hekurt mirëpo, qytetarët e Kosovës ende e ballafaqohen me mure. Duke neglizhuar Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave BE ka ndihmuar në izolimin e saj, praktikisht duke ngritur një perde mbi shtetit më të ri në Evropë”. Bytyqi po ashtu tha se çmimi mesatar i një vize Schengen për kosovarët është 124 Euro, përderisa paga mesatare mujore është 240 Euro. Gati gjysma e kërkesave të kosovarëve për viza refuzohen. Kosova ka shkallën më të lartë të refuzimit të kërkesave për viza në rajon. Fatkeqësisht, Kosova sot është shteti më i izoluar në botë.
Ramadani Ilazi, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL, deklaroj: “Sot, Bashkimi Evropian po e izolon Kosovën dhe në këtë mënyrë po stimulon trafikimin me qenie njerëzore, përderisa BE ka nisur procesin për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën një gjë të tillë nuk po e bën edhe me Kosovën duke dështuar të dëshmoj unitet dhe të zgjeroj zonën e paqes dhe prosperitetit”. Sipas Ilazit, institucionet e Kosovës po i kontribuojnë izolimit të vendit duke mos treguar vullnet politik të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. “BE gjithashtu po tregon standard të dyfishtë ndaj Kosovës përderisa për Serbinë po vlen deklarata se një popull nuk mund të dënohet për fajin e liderëve të tij, një gjë e tillë po ndodh pikërisht në Kosovë ku qytetarët po dënohet pikërisht për fajin e liderëve të tyre. Nuk e kuptojmë këtë sjellje, duke qene se përmbushja e kriteret qenësore në procesin e liberalizimit të vizave siç është kontrolli i kufijve dhe sundimi i ligjit janë fusha ku kanë përgjegjësi ekzekutive kanë KFOR-i respektivisht EULEX-i”, tha ai. Lëvizja FOL së bashku me Instituti Ballkanik i Politikave (IPOL) dhe Iniciativën për Progres(INPO), apelojmë te BE që ta përfshijë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave; dhe te Qeveria e Kosovës që të angazhohet seriozisht në plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.