Korrupsioni nuk alarmon Qeverinë e Kosovës

Nëntë dhjetori është Dita Ndërkombëtare kundër Korrupsionit. Për Qeverinë dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovë do të duhej të ishte ditë, në të cilën do të numëroheshin sukseset në luftën kundër korrupsionit. Fatkeqësisht sukseset ndaj kësaj dukurie janë në një nivel të papërfillshëm.

Të dhënat nga raporte kredibile kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat, specifikojnë pjesë të korrupsionit janë alarmante. Sipas Odës Ekonomike Amerikane për vitin 2009, rreth 60 për qind nga 550 kompani kanë dhënë mito për të pasur një funksionim normal të biznesit të tyre.

Deri më tash, institucionet si Prokuroria dhe Gjykatat nuk kanë ndërmarrë dhe nuk po ndërmarrin veprimet e nevojshme me të cilat do të dëshmonin përkushtimin e tyre ndaj luftës kundër korrupsionit. Po ashtu, sipas Transparency International për vitin 2009, sistemi gjyqësor, nga këndvështrimi qytetar është ndër më të korruptuarit.
Qeveritë në dhjetë vitet e fundit e kanë përdorur pushtetin gjyqësor për interesa të ngushta politike dhe klanore dhe në këtë mënyrë e kanë shndërruar këtë hallkë të pushtetit në njërën nga dikasteret e qeverisë.

Prandaj, sot, në mënyrë simbolike, ne po vendosim para Institucionit më të lartë të drejtësisë dhe institucionit më të lartë të akuzës këto simbole që interpretojnë atë që po ndodh në sistemin tonë gjyqësor, pra urdhrin e qeverisë për t”i mbyllur këto institucione që kanë dështuar në çdo hap të përmbushin detyrimet e tyre ligjore. Ndërsa, në anën tjetër Qeverisë së Kosovës po i dorëzojmë kartonët e kuq, po ashtu në mënyrë simbolike t”i japim mesazhin se është momenti i fundit që ajo t”i stopoj ndërhyrjet e saj në institucione të pavarura dhe t”i lejoj ato të kryejnë obligimet e tyre.