Konfiskimi i pasurisë së jashtëligjshme – ku është ligji antimafia?
Konfiskimi i pasurisë së përfituar përmes veprës penale paraqet vetëm njërën anë të medaljes në përpjekjet e Kosovës për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe çfarëdo të mire materiale që rezulton prej tyre. Ana tjetër e medaljes ka të bëjë me konfiskimin e pasurisë që potencialisht nuk është kryer si rezultat i një vepre penale apo kjo e fundit nuk arrin të dëshmohet plotësisht. E këtu është problemi.
Aktualisht sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë në Kosovë është i rregulluar me Kodin e Procedurës Penale si dhe Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së Përfituar me Vepër Penale. Në të dy këto ligje, sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë duhet të bëhet në kontekst të kryerjes së një vepre penale përmes të cilës është përfituar ajo pasuri apo pasuri të tjera. Një gjë e tillë është e qartë – çdo vepër penale që gjeneron pasuri dënohet dhe ajo pasuri konfiskohet. Mirëpo, kemi situata kur një pasuri e caktuar nuk mund të justifikohet, ndërsa në anën tjetër as nuk mund të ndërlidhet me kryerjen e një vepre penale specifike. Në këtë drejtim, aktualisht, organet e ndjekjes dhe gjykatat kosovare janë të kufizuara dhe nuk mund të ndërmarrin veprime të sekuestrimit dhe konfiskimit në raport me ato pasuri.
Në një debat që u organizua nga Lëvizja FOL më herët gjatë vitit, Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik në Kosovë paraqiti statistika impresive të pasurisë së sekuestruar – rreth 30 milion euro për një vit, megjithatë vetëm rreth gjysëm milion euro prej tyre ishin konfirmuar me vendim të plotfuqishëm të gjykatave. Koordinatori ngriti nevojën për efikasitet më të shtuar të organeve të ndjekjes dhe të gjykatave në sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme si dhe nevojën për ligjin anti mafia.
Deri më sot, nisma për bërjen e ligjit anti mafia nuk pati sukses. Ky ligj në thelb kishte të bënte me pasurinë e pajustifikueshme. Ligji anti mafia nuk do të kërkonte domosdoshmërisht një akuzë apo proces penal kundër një personi me qëllim të konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme. Por, ekzistojnë disa konsiderata në lidhje me një ligj të tillë. Një, kush duhet të ketë barrën e provës në rast se një pasuri e caktuar sekuestrohet – pronari i pasurisë apo organi që kërkon sekuestrimin. Dy, a garantohen dhe si mund të garantohen të drejtat kushtetuese dhe ligjore të palëve kundrejt ndërhyrjes arbitrare të shtetit në jetën dhe pronën private. Tre, a do të mund të veprojë mbrapa në kohë ligji eventual anti mafia.
Një pjesë e avokuesve kërkojnë që kryesisht individët të kenë barrën e provës për të justifikuar se një pasuri të caktuar e kanë fituar në mënyrë të ligjshme, ndërsa pjesa tjetër ku hyjë edhe unë kërkojmë që organi që kërkon sekuestrimin, në këtë rast prokuroria ose organ tjetër duhet të kenë barrë ne provës për të dëshmuar se një pasuri është përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Rëndësia e këtij argumenti qëndron në rolin që shteti duhet të ketë në ndjekjen dhe luftimin e kriminalitetit në çfarëdo rrethane, përfshi këtu edhe sekuestrimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Shteti nuk mund të zëvendësojë apo transferojë këtë rol tek individët e në anën tjetër të luaj vetëm rol pasiv.
Sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë në secilin rast kërkon ndërhyrjen e shtetit në pasurinë dhe pronën private të qytetarëve. Me rastin e veprave penale një ndërhyrje e tillë është e justifikuar. Në mungesë të një vepre penale, ndërhyrja mund të vë në rrezik garancitë kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve, ku shteti do të kishte mundësinë që të kërkonte sekuestrimin e një pasurie nën dyshimin e thjeshtë për prejardhjen e një pasurie. Në këtë drejtim çfarëdo ligji që qeveria do të bjerë do të duhet të ushtrojë kujdes në krijimin e një balanci të drejtë në mes të interesit të shtetit dhe shoqërisë për të luftuar kriminalitetin dhe ndëshkuar të mirat materiale që gjeneron ai në njërën anë dhe të drejtat individuale kushtetuese dhe ligjore për të shfrytëzuar lirshëm pronën private dhe pa pasur rrezikun e një ndërhyrje arbitrare të shtetit përmes konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.
A mund të bëjmë një ligj anti mafia me të cilin do të ktheheshim mbrapa në kohë dhe të konfiskojmë pasuritë që janë krijuar në mënyrë të paligjshme. Jo edhe po. Jo, sepse në parim secili ligj vepron duke shikuar përpara, në të kundërtën cenohet parimi i ligjshmërisë dhe sigurisë juridike. Po, nëse argumentohet se një pasuri e caktuar e përfituar në mënyrë të paligjshme para 10 apo 20 vite vazhdon të gjenerojë benefite për pronarët e saj. Por argumenti i fundit është i vështirë për tu bërë në raport me argumentin e parë.
Përfundimisht, nevoja për ligjin anti mafia i mbizotëron të gjitha konsideratat e lartcekura. Ato më shumë duhet të shërbejnë për të bërë një ligj të mirë sesa për të refuzuar për të bërë një ligj të tillë. Në anën tjetër, korniza aktuale, megjithatë, krijon bazë të mirë për organet përgjegjëse që të bëjnë më shumë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në konfiskimin e pasurive që gjenerojnë këto.
Ky projekt u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit