Komunat paguan mbi 12 milion euro për vendimet gjyqësore në periudhën janar – tetor 2019

Prishtinë, 17 janar 2020 – Lëvizja FOL, në kuadër të projektit “Transparencë dhe llogaridhënie komunale për taksapaguesit”, të mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, është në proces të monitorimit të pagesave komunale, të cilat rrjedhin si rezultat i vendimeve gjyqësore.

Elbasan Racaj nga Lëvizja FOL tha kanë monitoruar shumën e pagesave nga vendimet gjyqësore gjatë viteve 2017, 2018 dhe për periudhën janar – tetor 2019 në të gjitha komunat e Kosovës.

“Komunat gjatë periudhës janar-tetor 2019 kanë paguar në total shumën prej 12,458,861.00€, gjegjësisht mesataren prej 2.22% të buxheteve të tyre”, tha Racaj. Sipas tij, në këtë periudhë, gjashtë komunat me më së shumti pagesa, krahasuar më buxhetet e tyre fillestare, kanë qenë:

  1. 1. Leposaviqi 1,334,356.02€ (28.74% të buxhetit komunal);
  2. 2. Ferizaj 3,726,38.85€ (10.08%);
  3. 3. Mitrovica e Jugut 1,254,422.54€ (6.33%);
  4. 4. Deçani 401,069.37€ (4.48%);
  5. 5. Gllogoci 550,829.24€ (3.63%); dhe
  6. 6. Kllokoti 40,421.92€ (3.26%).

Sa i përket vitit 2018 shuma e paguar nga komunat për vendimet gjyqësore kanë qenë rreth 16,360,705.42€ apo 3.28% të buxheteve të tyre.

Ndërkaq për vitin 2017 komunat kanë paguar shumën prej rreth 8,142,310.0€ apo mesataren prej 1.81% të buxheteve.

Sipasj Racajt, sfida kryesore, në mbledhjen e këtyre të dhënave ka qenë gjetja e të njëjtave në raportet financiare të komunave. Një pjesë e komunave nuk publikojnë raporte financiare, kurse një pjesë tjetër e komunave raportet financiare i publikojnë në formate të ndryshme dhe vështirë të lexueshme nga publiku.

Lëvizja FOL, në kuadër të mbledhjes së këtyre të dhënave, ka shfrytëzuar raportet financiare të komunave, të dhënat e ofruara nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe të dhënat e publikuara nga Zyra Kombëtare e Auditimit.