Komuna e Istogut, nikoqire e debatit për sundimin e Ligjit

Istog, 5 maj 2016 – Lëvizja FOL, në përkrahje të partnerëve të projektit “Matja e Sundimit të Ligjit në Administratën Publike në Komunat e Kosovës” Folke Bernadotte Academy, UNDP Kosovë dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë, mbajti sot debatin në Komunën e Istogut.
Në kuadër të këtij projekti, në mesin e 4 komunave të përzgjedhura, Komuna e Istogut si njëra prej tyre ishte e përfshirë në modulet e hulumtimeve të realizuara ku janë intervistuar 11 zyrtarë komunal dhe 77 përdorues (përfitues të banimit social, aplikantë të refuzuar dhe ata që janë në pritje).

Razultatet e këtyre hulumtimeve i prezentoi koordinatorja e projekteve në Lëvizjen FOL, Fitore Metbala, për të bërë më pas diskutimin dhe vlerësimin nga ana e të pranishmëve mbi gjendjen aktuale të çështjes së banimit social, problemet me të cilat përballet kjo komunë dhe reflektim mbi të gjeturat e hulumtimeve.
Zyrtarët e pranishëm theksuan problemin e mungesës së fondeve si pengesën kyçe në çështjen e ngritjes së kapaciteteve në infrastrukturën e banimit social dhe vlerësuan rezultatet e dala nga intervistimi i qytetarëve/përdoruesve të cilët në masë të madhe e shohin komunën si objektive, të qasshme për qytetarin dhe transparente.