Përzgjedhja e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM)

Komisioni Ad-Hoc i Kuvendit të Kosovës në përbërje të deputetëve: Valon Ramadani (LVV), Nijazi Isaku (LVV), Besim Muzaqi (LVV), Fitim Haziri (LVV), Isak Shabani (LVV), Fidan Jilta (KDTP), Mergim Lushtaku (PDK), Albana Bytyqi (AAK) dhe Valentina Bunjaku (LDK), ka përfunduar sot procesin e intervistimit të kandidatëve për përzgjedhjen e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).

Për këto pozita kishin aplikuar gjithsej 15 kandidatë, por vetëm 9 prej tyre i kishin përmbushur kushtet për të ju nënshtruar procesit të intervistimit.

Procesi ishte i hapur për publikun dhe shoqërinë civile, por ndryshe nga praktikat e krijuara me mbikëqyrjen e ekspertëve britanik (BDO), deputetët në fund të procesit të intervistimit i publikuan vetëm pikët totale për kandidatët, duke mos dhënë sqarime për poentimet përkatëse.

Kandidatët të cilët i janë propozuar Kuvendit për votim janë: Luljeta Aliu (816 pikë); Granit Musliu (799 pikë); Xhevat Latifi (799 pikë); Violeta Hyseni – Kelmendi (769 pikë); Veton Kasapolli (757 pikë); dhe Jeta Abazi – Gashi (710 pikë).

Lëvizja FOL kërkon që i tërë procesi të përmbyllet pa ndërhyrje politike dhe në bazë të meritave të kandidatit, në mënyrë që të ruhet pavarësia dhe kredibiliteti i Komisionit të Pavarur të Mediave.