Indeksi i Transparencës së Institucioneve dhe ndërmarrjeve publike në Kosovë

Hulumtim politikash: Matja e transparencës së institucioneve dhe ndërmarrjeve publike në Kosovë

Përmbledhje ekzekutive e raportit

Ky studim është i pari i këtij lloji që bëhet në Kosovë dhe synon të masë transparencën e institucioneve dhe ndërmarrjeve publike që operojnë në vend. Përmes këtij studimi së pari është bërë një skenim sistematik i funksionimit të strukturave të brendshme të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike përgjegjëse për çështjet e komunikimit dhe informimit publik, i cili ka prekur një gamë mjaft të gjerë çështjesh që kanë të bëjnë me komunikimin dhe informimin publik. Qasja ka qenë ajo e ndërtimit të institucioneve, gjë që nënkupton se ky studim është fokusuar vetëm në atë se në çfarë niveli institucionet dhe ndërmarrjet publike kanë zhvilluar kapacitetet e tyre për të siguruar zbatimin e plotë dhe efektiv të dispozitave kushtetuese dhe ligjore që garantojnë të drejtën e qytetarëve për qasje në dokumentet publike.

Duke qenë kështu, është shikuar ekskluzivisht ana formale e të gjitha elementeve të prekura të komunikimit dhe informimit publik për qëllim të sigurimit të transparencës.

Prandaj, pavarësisht se ndonjë institucion/ndërmarrje publike mund të ketë zhvilluar mekanizma jo-formalë, sipas të cilëve konsideron se do të merrte një vlerësim më të mirë duhet ta ketë të qartë se obligimet kushtetuese dhe ligjore për transparencë janë obligime për institucionin, dhe si të tilla duhet të institucionalizohen në mënyrë që të jenë të qëndrueshme, pavarësisht shkallës relativisht të lartë të ndryshimeve në staf. Duke shfrytëzuar indikatorë objektivë dhe të qartë, ky skenim sistematik është fokusuar në shumicën e çështjeve relevante nga perspektiva e ndërtimit të institucioneve, nga tri dimensione kryesore: infrastruktura rregullative, ajo e politikave/planeve dhe kapacitetet për implementimin efektiv.

Marrë parasysh se kemi të bëjmë me dallime në mes të institucioneve, është tentuar që metodologjia e mbledhjes së informatave (përkatësisht pyetësori i dërguar) të jetë sa më i përgjithshëm që ka qenë e mundur, por kjo gjithashtu nënkupton se personat që kanë punuar në plotësimin e tyre është dashur të kenë njohuri dhe kapacitete analitike të theksuara për të dhënë informata të plota në të gjitha çështjet e ngritura.

Më tej, marrë parasysh se njëra nga sfidat më të vështira në procesin e shtet-ndërtimit në Kosovë ka të bëjë me memorien institucionale, dhënia e informatave gjithëpërfshirëse dhe të sakta rreth secilës çështjeje të ngritur ka kërkuar si aftësi analitike të personave që kanë dhënë informatat për tërë fushëveprimtarinë e organizatës ashtu edhe koordinim të theksuar në mes të strukturave menaxheriale në mbledhjen e informatave specifike dhe relevante. Një element tjetër me rëndësi është se pasi që ky studimi është i pari i këtij lloji, është fokusuar kryesisht në vlerësim kuantitativ, me synimin që të konfirmohet ekzistimi ose mungesa e secilit element në infrastrukturën institucionale në të tria dimensionet e lartpërmendura.

Në këtë kontekst, përtej synimit për të marrë thjesht informata kuantitative mbi secilin element të kësaj infrastrukture, cilësia dhe plotësia e informatave të dhëna reflekton edhe shkallën e shprehisë së institucionit/ndërmarrjes publike të caktuar për të lehtësuar qasjen e publikut në dokumente publike. Kjo shprehi vërehet sidomos në informatat e dhëna nga ana e të dyja ndërmarrjeve publike, të cilat edhe në raste të mungesës së qartë të kornizës rregullative, shpesh janë vërejtur haptas se përpiqen të fshehin informata, përfshirë edhe pranimin e faktit se mungon infrastruktura rregullative. Në këtë mënyrë duket se shpesh e bëjnë të vështirë një vlerësim objektiv dhe ekskluzivisht kuantitativ.

Në vijim paraqitet rangimi i të gjitha institucioneve dhe ndërmarrjeve publike, sipas të Indeksit të Transparencës Institucionale (ITI):

1. Dogana e Kosovës ? 90, jo plotësisht e hapur;
2. Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit ? 69, gjysmë e hapur;
3. Korporata Energjetike e Kosovës ? 64, pjesërisht e hapur;
4. Ministria e Punëve të Jashtme ? 62, pjesërisht e hapur;
5. Policia e Kosovës ? 55.5, pjesërisht e hapur;
6. Kuvendi i Kosovës ? 53, i mbyllur;
7. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ? 47, e mbyllur;;
8. Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës ? 43, e mbyllur;;
9. Zyra e Kryeministrit ? 41.5, e mbyllur;;
dhe 10. Prokuroria e Shtetit ? 3, e mbyllur.

Megjithëse ky studim i parë i këtij lloji tregon performancë përgjithësisht të dobët sa i përket infrastrukturës institucionale, ai synon të shërbejë si mekanizëm monitorues i vazhdueshëm për të përcjellë ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve institucionale për komunikim dhe informim publik, me synim përfundimtar rritjen e nivelit të përgjithshëm të transparencës së institucioneve dhe ndërmarrjeve publike, duke filluar nga krijimi i një qasjeje proaktive sa i përket qasjes në dokumente publike. Duke e bërë këtë lloj matjeje në mënyrë periodike, synohet të arrihen disa qëllime. Së pari, të identifikohen problemet dhe sfidat e secilit institucion dhe ndërmarrje publike sa i përket ndërtimit të infrastrukturës legjislative dhe asaj të politikave, por edhe të kapaciteteve institucionale dhe organizative, për implementimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Zyrtare. Së dyti, këto gjetje specifike pritet t?u ndihmojnë institucioneve publike dhe ndërmarrjeve publike që të adresojnë ato deri në vlerësimin e radhës, në mënyrë që duke përcjellë përparimin e tyre, ato vazhdimisht të jenë në gjendje të përmirësojnë infrastrukturën legjislative e institucionale/organizative, si dhe të ngrisin kapacitetet implementuese. Së treti, duke e bazuar vlerësimin e transparencës në një punë rigoroze e sistematike, pritet që të pasurohet, fokusohet dhe kanalizohet debati publik mbi këtë çështje përmes ofrimit të të gjeturave që bazohen në të dhëna të marra nga vetë subjektet që mbulon studimi.