Gjykatat kanë zgjidhur më shumë lëndë se sa që kanë pranuar në vitin 2016

Prishtinë, 16 Mars 2017- Lëvizja FOL sot ka publikuar rezultatet e performancës së gjyqësorit për vitin 2016 në fushën kundër korrupsion.

Matja e efikasitetit të gjyqësorit në fushën kundër korrupsion është bërë duke u mbështetur kryesisht në metodologjinë e përdorur nga Komisioni Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë, por edhe në metoda tjera.

Të gjeturat tregojnë se Gjyqësori ka treguar një performancë të mirë në luftën kundër korrupsionit në përgjithësi.

Në vitin 2016 gjyqësori ka pasur në punë 639 lëndë kundër korrupsion. Nga këto lëndë, 407 lëndë janë bartur nga viti 2015, 232 lëndë kanë hyrë gjatë vitit 2016. Gjykata ka dhënë drejtësi për 284 lëndë.

Me këtë performancë, gjyqësori ka zgjidhur më shumë lëndë se sa ka pranuar në vitin 2016.

Megjithatë, për shkak të numrit të madh të lëndëve të bartura në disa gjykata, siç është rasti me Gjykatën Themelore në Prishtinë, trendi i nivelizimit të lëndëve do të marrë një kohë të gjatë. Bazuar në performancën e gjyqësorit për vitin 2016, Gjykatat do të arrijnë të nivelizojnë lëndët e bartura në vitin 2029.

Raporti i qarkullimit të lëndëve për vitin 2016 ka qenë 0.8. Kjo vlerë është e ulët duke pasur parasysh numrin e lëndëve që janë bartur për vitin 2017, duke bërë që gjykatat të vonojnë drejtësinë për 456 ditë.

FOL ka publikuar rezultatet edhe për gjykatat themelore ku të gjeturat tregojnë se Gjykata Themelore e Gjakovës ka performuar më së miri në vitin 2016. Gjakova ka një normë të zgjidhjes së lëndëve prej 315%, kurse Prishtina 93%. Prishtina nuk ka arritur të përballojë fluksin e lëndëve për vitin 2016, duke bartur lëndë për vitin 2017, kurse Gjakova ka zgjidhur të gjitha lëndët për vitin 2016 plus ka zvogëluar lëndët e grumbulluara.

Ky raporti synon që t’i shërbejë gjyqësorit në përmirësimin e performancës në luftën kundër korrupsion, kurse në anën tjetër t’i shërbejë qytetarëve për kuptimin më të mirë të punës së gjykatave dhe përpjekjen e tyre për të luftuar korrupsionin.

 

 

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).