Gjykata e Apelit me më së shumti aktgjykime të publikuara për muajin shkurt 2023

Prishtinë, 30 mars 2023 – Lëvizja FOL ka vazhduar me monitorimin sistematik të aktgjykimeve dhe aktvendimeve të publikuara në ueb faqen zyrtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga të gjitha gjykatat e Kosovës edhe gjatë muajit shkurt. FOL gjatë monitorimit rëndësi të veçantë i ka kushtuar përputhshmërisë së vendimeve të publikuara me Udhëzimin Administrativ për Publikimin e Aktgjykimeve të Përpunuara, si dhe me Vendimin për Standardizimin e Formave të Aktgjykimeve. Gjatë muajit shkurt gjykatat kanë publikuar 2306 aktgjykime dhe aktvendime në ueb-faqen zyrtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, si dhe 3 procesverbale, e të cilat nuk janë evidentuar në databazën tonë. Numrin më të madh të vendimeve i ka publikuar Gjykata e Apelit, përkatësisht 542 vendime gjyqësore, për t’u pasuar nga Gjykata Themelore e Gjilanit me 321 vendime të publikuara gjatë kësaj periudhe. Të dhënat e detajuara në lidhje me publikimin e vendimeve nga secila gjykatë në veçanti, duke përfshirë degët dhe depratamentet e tyre, mund t’i shihni në grafikonët e mëposhtëm.