Gjykata e Apelit me 629 vendime gjyqësore të publikuara për muajin mars 2023

Prishtinë, 4 maj 2023 – Lëvizja FOL ka vazhduar me monitorimin sistematik të aktgjykimeve dhe aktvendimeve të publikuara në ueb faqen zyrtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Të gjitha këto vendime të publikuara nga Gjykatat e Kosovës gjatë kësaj periudhe janë monitoruar një nga një sa i përket përmbushjes së kërkesave që përcaktohen me aktet nënligjore në fuqi.

Gjatë muajit mars gjykatat kanë publikuar 3414 aktgjykime dhe aktvendime në ueb-faqen zyrtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, si dhe 7 vendime të përsëritura, e të cilat nuk janë evidentuar në databazën tonë. Numrin më të madh të vendimeve e ka publikuar Gjykata e Apelit, përkatësisht 629 vendime gjyqësore, për t’u pasuar nga Gjykata Themelore e Gjakovës me 553 vendime të publikuara gjatë kësaj periudhe. Të dhënat e detajuara në lidhje me publikimin e vendimeve nga secila gjykatë në veçanti, duke përfshirë degët dhe depratamentet e tyre, mund t’i shihni në grafikonët e mëposhtëm.