Forumi FOL Hapur me z. Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Prishtinë, 19 qershor 2015. Lëvizja FOL, sot ka zhvilluar diskutimin e radhës në kuadër të Forumit FOL Hapur, në të cilin i ftuar ishte Kryetari i Lëvizjes VETEVENDOSJE z. Visar Ymeri. Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL tha se kemi kënaqësinë që sot në Forumin FOL Hapur të kemi liderin e Lëvizjes VETËVENDOSE!, z. Visar Ymeri. Sipas tij temat e këtij diskutimi janë: Aspekti ekonomik i qeverisjes gjashtëmujore të Isa Mustafës; Alternativa Ekonomike e Lëvizjes VETËVENDOSJE!; Koordinimi i opozitës për  çështje të përbashkëta në Kuvend, si dhe ndërrimi i lidershipit në Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Visar Ymeri nga Lëvizja VETËVENDOSJE tha se reformat tatimore të iniciuara nga Qeveria aktuale janë reforma të gabuar, këto reforma sipas tij nuk ndikojnë në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës. Bazat tatimore janë probleme në politikën fiskale që e kanë stagnuar ekonominë në Kosovë. Tatimi mbi vlerën e shtuar është rritur nga 16 në 18%. Kjo sipas tij e rritë shpenzimin e shportës së konsumatorit dhe e dëmton konsumatorin.

Po ashtu ai foli edhe për Fondin e Punësimit, i cili ishte  premtuar gjatë fushatës zgjedhore, e i cili fond është zëvendësuar me një fond shumë më të vogël, tha ai. Qeveria po heq dorë nga premtimet e veta të cilat i ka dhënë gjatë fushatës zgjedhore se do te ketë ndryshime të mëdha në ekonomi. Trepça është dashur ta ketë ligjin për te cilin është folur para 5 muajve e ky afat përfundon nesër. Asgjë nuk është bërë në këtë drejtim për Trepçën e minatorët, ka thënë Visar Ymeri.

Më tej z. Ymeri tha se edhe çështja e Energjisë në Kosovës është ende e paqartë, sepse Qeveria aktuale nuk e ka ende një plan zhvillimor afatgjatë. Qeveria e Kosovës duhet ta ketë të qartë që nuk ka zhvillim ekonomik pa prodhim dhe industrializim të ekonomisë së Kosovës. Ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! jemi kundër ndërtimit të termocentralit Kosova e Re, sidomos nëse kjo bëhet vetëm kur ka vetëm një ofertues, tha ai.

Sa i përket Gjykatës Speciale, sipas z. Ymeri themelimi i Gjykatës Speciale është ndërhyrje e drejtpërdrejt në sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe se kjo gjykatë do fokusohet në drejtësi selektive sepse do të merret vetëm me krimet e pretenduara ndaj ushtarëve të UÇK-së, kur dihet se krimet kanë ndodhur vetëm nga Serbia.