Fol: Të pavërtetat dhe të vërtetat e zyrtarëve të vendit

Lëvizja Fol ka vazhduar me publikimin e raportit javor ” Matësi i së vërtetës ” ku analizohet saktësia e deklaratave të zyrtarëve të vendit.

Kështu, këtë javë Lëvizja Fol ka paraqitur në raport deklaratën e kryeministrit Hashim Thaçi për energjinë elektrike dhe atë për strategjinë për veriun e vendit, deklaratën e ministrit të Brendshëm Zenun Pajaziti për liberalizimin e vizave, deklaratën e kryekuvendarit Jakup Krasniqi për mosangazhimin e duhur të komisioneve të Kuvendit, deklaratën e presidentit Fatmir Sejdiu për luftën kundër korrupsionit…

Matësi i së vërtetës – Raporti II

“PDK-ja premton se në rast të jetësimit të planit të vet, nuk do të ketë më kategori ABC, por do të ketë konsumatorë që paguajnë rrymë dhe atë që nuk e paguajnë”, Hashim Thaçi ” kryetar i PDK-së, Ferizaj, 30 tetor 2007

Vlerësimi: E pavërtetë

1. Gjendja e furnizimit me energji elektrike është përmirësuar, por reduktimet vazhdojnë sidomos në zonat jashtë Prishtinës.
2. Edhe në janar 2010, më shumë se 2 vjet pas dhënies së këtij premtimi paraelektoral të atëherë, kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, KEK vazhdon ta praktikojë orarin e reduktimit ABC
3. Në planet e KEK-ut për furnizimin për janar 2010, aty detajizohet plani ABC, sipas të cilit kategoria A furnizohet 24:0, kategoria B 24/0, ose 5:1, dhe kategoria C 5:1, ose 4:2
4. Kjo qeveri i ka dhënë KEK-ut miliona Euro për t”u rimëkëmbur, për të sanuar dëmet e vazhdueshme në pajisjet e saj, që asnjëherë nuk kanë rezultuar me sukses
5. Ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, projekt ky shumë i diskutueshëm, qeveria e sheh si mundësi për furnizim të pandërprerë me energji elektrike, dhe madje edhe eksportim të saj

“Nëse Kosova i përmbush me sukses kriteret teknike brenda këtij viti, atëherë viti i ardhshëm do të mund të llogaritej si vit potencial për përfshirje në këtë proces”, Zenun Pajaziti, ministër i Brendshëm, 27 janar 2010

Vlerësimi: E pavërtetë

1. Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunachek ka thënë se Kosovës do t”i duhen 3-5 vjet për t”u përfshirë në listën Shëngen, që e bën të pavërtetë deklaratën e ministrit Pajaziti.
2. Shqipëria ka nisur në fillim të vitit 2008 negociatat me BE-në për liberalizimin e vizave. Gjasat që ajo të përfshihet në Listën e bardhë Shëngen janë në korrik 2010, që do të thotë se procesi ka zgjatur 2 vjet e gjysmë
3. Një takim në Prishtinë mes zyrtarëve të BE-së dhe atyre të Qeverisë së Kosovës, nga kjo e fundit është interpretuar si nisje e negociatave për liberalizim, por është hedhur poshtë si tillë nga Bashkimi Evropian
4. Përveç kritereve të gjithmbarshme, Kosova do të përballet edhe me pengesat e 5 shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.

“Beogradi nuk do të jetë partner dhe as nuk do të pyetet sa i përket zbatimit të strategjisë së Qeverisë dhe mekanizmave ndërkombëtarë për veriun e Kosovës”, kryeministri Hashim Thaçi, 17 janar 2010.

Vlerësimi: Gjysmë e vërtetë

– Strategjia për veriun nuk është dokument i hartuar ekskluzivisht nga Qeveria e Kosovës
– Strategjia është përpiluar e ndihmuar nga Zyra Ndërkombëtare Civile në Prishtinë e përfaqësuar nga Pieter Feith
– Shefi i ICO-së, Pieter Feith, ka deklaruar se rreth Strategjisë për integrimin e pjesës Veriore të Kosovës në sistemin kosovar do të konsultohet me Beogradin
– Ndërkombëtarët e shohin të rëndësishëm rolin e Serbisë, që nën presionin e BE-së, do të mund të ndikonte tek serbët që ta pranojnë sistemin e Kosovës

“Krasniqi ka kërkuar angazhim më të madh të komisioneve për përshpejtimin e shqyrtimit dhe amendamentimit të projektligjeve në procedurë. Ai vlerësoi se një numër i drejtuesve dhe anëtarëve të komisioneve, nuk manifestojnë përgjegjësinë e nevojshme. Në këtë vështrim është apostrofuar Komisioni për Interesat e Komuniteteve dhe Kthim”, komunikatë e Kuvendit të Kosovës, 21 janar 2010.

Vlerësimi: E vërtetë

1. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka kritikuar me vend komisionet kuvendare, për zvarritjet që ato bëjnë në procedimin e ligjeve
2. Nga monitorimi i punës së komisioneve del se ato tejkalojnë shpesh afatet ligjore për procedimin e Ligjeve në seancat e Kuvendit të Kosovës
3. Edhe Progres Raporti i vitit 2009, në pjesën kur flet për punën e Kuvendit vë në pah mosefikasitetin e komisioneve kuvendare
4. “Komisionet e Kuvendit duhet që të forcojnë kapacitetet teknike dhe administrative për të shqyrtuar me kujdes të madh legjislacionin”, thuhet në një pjesë të raportit
5. Raporti i Komisionit Evropian gjithashtu bënte thirrje për ngritjen e kapaciteteve financiare e administrative të Komisionit për Integrime Evropiane, gjë që e bën krejtësisht të vërtetë deklaratën e kryeparlamentarit Krasniqi

“Është borxh i politikës që të luftohet korrupsioni”, presidenti Fatmir Sejdiu, 27 janar 2010, Oda Ekonomike Amerikane

Vlerësimi: Gjysmë e vërtetë

1. Duhet vullnet politik për ta luftuar korrupsionin, dhe pikërisht kjo ka munguar gjatë gjithë këtyre viteve
2. Ka qenë ndërhyrja e vazhdueshme e politikës në gjyqësor që ka penguar luftimin e kësaj dukurie në Kosovë
3. Partitë politike ende nuk bëjnë të ditur prejardhjen dhe financat e tyre (duke përfshirë edhe partinë ku presidenti është kryetar), kështu që është borxh në kuptimin e asaj që politika në Kosovë e ka lejuar këtë situatë të krijohet
4. Partitë politike, ato që janë në pushtet dhe ato që janë në opozitë, e kanë qenë në pushtet, e kanë humbur kredibilitetin e luftuesve të korrupsionit.

/Telegrafi/