FOL: Një deklaratë e kryeministrit dhe një e ministrit Rexhepi, të pavërteta

Një deklaratë e kryeministrit Hashim Thaçi dhe një e ministrit Bajram Rexhepi, janë vlerësuar të pavërteta nga Lëvizja “Fol”, në konferencën për media të shtunën, me rastin e prezantimit të raportit të verifikimit të deklaratave të zyrtarëve të lartë shtetëror të Kosovës “Matësi i së vërtetës”, ku janë radhitur edhe dy premtime të thyera të ministrit Skënder Hyseni dhe ish-shefit të EULEX-it, Yves de Kermabon, si dhe një ndryshim qëndrimi i nënkryetarit të AAK-së, Blerim Shala. E pavërtetë është cilësuar deklarata e ministri të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, më 18 gusht 2010, se “në gjysmën e muajit shtator Kosova zyrtarisht do të ketë strategjinë për liberalizim”, raporton KosovaLive.

Lëvizja “Fol” konstaton se zyrtarët kosovarë gjatë gjithë verës folën për udhërrëfyes për strategjinë e liberalizimit të vizave, por kur Brukseli u tregoi se ky nuk do të jetë udhërrëfyes, ata ndryshuan fjalorin. Për shkak të problemeve politike të vendit, do të quhet strategji për liberalizimin e vizave. Por, as ajo nuk ka ardhur ende në Kosovë, tash kur është mesi i muajit tetor. Zyrtarë të lartë qeveritarë kanë përmendur shumë herë fundin e verës, ose fillimin e vjeshtës për këtë hap të rëndësishëm, por ka rezultuar një premtim i pambajtur. Kosova në këtë mënyrë është shndërruar në geton e Ballkanit Perëndimor, si vendi i vetëm pa perspektivë të qartë të mundësisë për lëvizjen e lirë. “Unë nuk jam deputet, dhe nuk interpretoj vendimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe vetëm implementoj ato vendime, ndërsa vendimet mbeten në autoritetin e Kuvendit”, është deklarata e dytë e pavërtetë e radhitur në “Matësi i së vërtetës” nga Lëvizja “Fol”, të cilën kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka bërë më 15 tetor 2010.

Me këtë deklaratë kryeministri është munduar të shfajësohet për presionin që i ka bërë Kuvendit, në lidhje me Strategjinë për PTK-në. Në seancën e 14 shkurtit, Thaçi e tha publikisht se nëse do të shtyhej këtë herë miratimi i strategjisë, ajo duhej patjetër të hynte në rendin e ditës në seancën e parë të radhës. Kjo është ndërhyrje e hapur në punën e legjislativit dhe imponim i agjendës së tij. Atmosfera e krijuar nga kryeministri çoi deri në kalimin jashtëligjor të Strategjisë, e cila duhet shqyrtuar e votuar edhe njëherë në përputhje me rregullat e Kuvendit.
Ndryshimi i qëndrimit i nënkryetarit të AAK-së, Blerim Shala, ka të bëjë me zgjedhjet. Ai më 29 shtator 2010 ka deklaruar se “Kosova nuk mund të hyjë në procesin e zgjedhjeve, sepse nuk është e gatshme teknikisht”, derisa partia opozitare, AAK, ka kërkuar gjatë gjithë kohës zgjedhje të
parakohshme, edhe kur vendi kishte institucione funksionale.

Arsyetim i vazhdueshëm i kësaj partie është se qeverisja aktuale nga partitë e koalicionit e bënë të domosdoshme mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Por, në momentin kur vërtetë u krijuan kushtet për mbajtjen e tyre, AAK-ja del kundër. Mungesa e liderit të saj është domethënëse, por kjo parti, sikur edhe të tjerat duhet të kenë konsistencë të qëndrimeve politike.

“Shumë shpejt do të shihni fillimin e njohjeve të reja për shtetin e ri të Kosovës. Serbia do të befasohet”, ka deklaruar m 8 gusht 2010 ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni dhe ka bërë një premtim të thyer, konstaton Lëvizja “Fol”.
Entuziazmi i pas mendimit të GJND-së ka rezultuar një blof i madh i diplomacisë kosovare. Vetëm një shtet e ka njohur pavarësinë e Kosovës, që prejse GJND-ja e quajti të ligjshme pavarësinë e vendit.
Takimet e gjata në Nju-Jork dhe premtimet për njohje nuk u kthyen asnjëherë në realitet. Ministri i Jashtëm, Hyseni me një rast foli edhe për ardhjen e 35 njohjeve për Kosovën pas GJND-së, por kjo mbeti larg realizimit, siç mbeti larg edhe befasia që Hyseni po i përgatiste Serbisë.
Premtim i thyer është cilësuar edhe deklarata e ish-shefit të EULEX-it, Yves de Kermabon, më 12 prill 2010. Ai ka deklaruar: “Prioriteti im kryesor është që t”i kthejë gjyqtarët dhe prokurorët serbë dhe shqiptarë në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, në mënyrë që të ndahet drejtësia nga një sistem i vetëm gjyqësor, por lokal dhe shumetnik”.

Gjyqtarët shqiptarë të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë ka më shumë se dy vjet që punojnë në kushte shumë të vështira në Vushtrri, për shkak të pamundësisë për të punuar aty ku duhet, në pjesën veriore të Mitrovicës. Yves de Kermabon e përfundoi mandatin pa e realizuar atë që e ka quajtur prioritet, dhe pa dhënë ndonjë shpresë reale për kthimin e gjykatësve shqiptarë në vendet e tyre të punës