FOL kritikon Qeverinë dhe Kuvendin për luftën kundër korrupsionit

Lëvizja “Fol”, në një raport monitorimi për muajin prill të publikuar të mërkurën në Prishtinë, vlerëson se gjatë këtij muaji nuk është vërejtur ndonjë lëvizje pozitive në luftë kundër korrupsionit, nga ana e Qeverisë së Kosovës apo nga Kuvendi i Kosovës. Sipas raportit të lëvizjes “Fol”, përkundër zotimeve të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë për përmirësimin e gjendjes, është evidentuar përkushtim i vogël për luftimin e aferave korruptive në institucionet publike.

“Në fund të muajit prill ndodhi bastisja në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës (MTPT), si dhe në pronat private të ministrit Limaj dhe shefit të prokurimit, Nexhat Krasniqi, nga ana e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë EULEX, por ende asgjë nuk ka konkrete”, vlerëson kjo lëvizje.

Sipas tyre, zyrtarët e Policisë së Kosovës (PK) as gjatë prillit nuk kanë shprehur gatishmërinë e tyre që të bashkëpunojnë ngushtë me lëvizjen “Fol” në, kontekstin e identifikimit dhe informimit me përpjekjet që bëhen nga mekanizmat përgjegjës në luftën kundër korrupsionit.

Zyrtarët e kësaj lëvizjeje thonë se megjithëse “Fol”, prej janarit 2010 ka adresuar disa kërkesa zyrtare për qasje dhe bashkëpunim në Zyrën për Marrëdhënie me Publikun në Policinë e Kosovës, ata thonë se ende, për fat të keq, nuk kanë marrë ndonjë përgjigje, pozitive apo negative.

“EULEX-i ka filluar të ndërmarrë hapa konkret dhe të dukshëm ndaj luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, madje në nivelet më të larta politike. Paralajmërimet e shumta gjatë marsit për hetime edhe në nivelin e lartë politik, për të cilat edhe lëvizja “Fol” ka përmendur në raportin e muajit mars, përfundimisht janë bërë publike në muajin prill”, vlerëson lëvizja “Fol”.

Sipas tyre EULEX-i ndërmori një aksion bastisjesh ndaj MTPT-së dhe të pronave private të Ministrit Fatmir Limaj dhe shefit të prokurimit Nexhat Krasniqi, ku sipas lëvizjes këta të fundit dyshohen për shpëlarje parash, krim të organizuar, shpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim në zyrë dhe ryshfet. “Mirëpo, këta janë vetëm dy nga gjithsej gjashtë zyrtarë të profilit të lartë për të cilët flitet të jenë iniciuar hetime publike. Këto bastisje kanë ndodhur menjëherë pas deklaratave të shumta të përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare dhe thirrjeve të tyre për luftimin e korrupsionit brenda rrethit qeveritar”, vlerëson kjo lëvizje.

Sipas tyre gjatë muajit prill, në media, është përfolur dhe raportuar që përfaqësues ndërkombëtarë kanë kërkuar nga kryeministri Thaçi ta largojë një ministër të kabinetit të tij, ngase ka dëshmi të shumta për keqpërdorim të fondeve publike.

Mirëpo sipas lëvizjes po në të njëjtin muaj, ekzekutivi i vendit, ka vendosur të bëjë ndryshime në kabinetin qeveritar, duke shkarkuar gjashtë ministra, por duke mos shpjeguar arsyen e vërtetë të shkarkimit të tyre. Sa i përket gjykatave të Kosovës “Fol”, vlerëson se janë raportuar 143 lëndë të pazgjidhura, që kanë të bëjnë me shpërdorim të pozitës zyrtare si dhe marrje e dhënietë ryshfetit.

Kjo organizatë ndërkaq vlerëson se Këshilli Gjyqësor i Kosovës, i cili vepron në kuadër të sistemit gjyqësor, nuk ka shënuar ndonjë aktivitet të veçantë gjatë muajit prill në luftë kundër korrupsionit. “Edhe në muajin prill, sikundër edhe në muajin e kaluar, lëvizja “Fol” ka insistuar të ketë informacion për secilin gjykim që është mbajtur në gjykatat e Kosovës, që ka të bëjë me veprat penale që ndërlidhen me korrupsionin, mirëpo një gjë e tillë ka qenë e pamundur të realizohet”, thuhet në raportin e lëvizjes “Fol”.