FOL: Komuna e Prishtinës refuzon qasjen në të dhënat për pronat e disa zyrtarëve

Lëvizja FOL, përmes një letre i është drejtuar sot Agjencisë kundër Korrupsion, duke i kujtuar disa çështje që FOL ka ngritur muajt e fundit. Në letër thuhet:

Në frymën e bashkëpunimit të mirë që kemi krijuar, po ju shkruaj disa çështje që Lëvizja FOL ka ngritur muajt e fundit dhe po shpresojmë që të gjejnë reagim edhe nga Agjencia Kundër Korrupsionit:

1. Lëvizja FOL ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës të dhëna për pronën e paluajtshme të disa prej zyrtarëve të lartë publik në Kosovë, mirëpo Komuna ka refuzuar qasjen në këto të dhëna. Duke qenë se Komuna nuk ka ofruar informacionin e kërkuar Lëvizja FOL ka bazë të supozoj se ky institucion mbase edhe është duke fshehur të dhëna që do të pasqyronin një realitet tjetër të pasurisë së paluajtshme nga ai i deklaruar i disa prej zyrtarëve publike në Kosovë. Kërkesa përkatëse është e bashkangjitur me këtë letër, përderisa ne kërkojmë nga Agjencia që të vazhdoj të trajtoj këtë çështje me Komunën e Prishtinës.

2. Në Shkurt të vitit 2010 Lëvizja FOL ka publikuar një raport tjetër të emëruar “Odisejada e ri-emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve” ku ka shqyrtuar raste të konfliktit të interesit. Konkretisht ne kemi konsideruar se Kryesuesja e KGJK-së, Lirie Osmani, (shqiptare) Bilgaip Maznikar (me kombësi turke) dhe Zhivojin Jokanoviq (me kombësi serbe) anëtarë të KGJK-së, që të tre ushtrojnë profesionin e avokatit. Lëvizja FOL është informuar përmes shtypit se AKK ka dërguar një letër Gjyqësorit të Kosovës përkitazi me këtë rast ne po shpresojmë se hetimi dhe angazhimi juaj do të sjell rezultate konkrete në këtë drejtim. Raporti në fjalë është bashkangjitur me këtë letër.

3. Me 11 Maj 2010 Lëvizja FOL pas një analize juridike dhe pas verifikimit të të dhënave mbi bazën e fakteve ka publikuar një raport i cili përmban 7 raste që konsideron se personat në fjalë janë potencialisht në konfliktit interesi sipas Legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës. Lista është e bashkangjitur me këtë letër.

4. Lëvizja FOL konsideron se gjatë deklarimit të Prejardhjes dhe Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publikë në Kosovë, disa prej tyre nuk kanë deklaruar gjendjen reale sa i përket kapitullit Aktiviteteve të tjera që zyrtari kryen krahas funksionit primar. Në rastin e Kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi nuk ka deklaruar se kryen edhe funksionin e Sekretarit të Partisë Demokratike të Kosovës. Gjithashtu, sa i përket deklaratave të pasurisë pothuajse shumica e zyrtarëve nuk kanë deklaruar edhe pasurinë e fëmijëve të tyre që është obligim sipas Ligjit për Prejardhjen dhe Deklarimin e Pasurisë dhe Dhuratave nga Zyrtarët e Lartë Publik. Ne shpresojmë se sa i përket kësaj çështje AKK-ja do të ndërmerr masat përkatëse.

Gjatë tryezës së organizuar nga Lëvizja FOL me 30 qershor 2010 mbi Transparencën e Institucioneve dhe Ndërmarrjeve Publike është prezantuar nga disa prej pjesëmarrësve shqetësimi se në fshatin ndërkombëtar katër ministra mund të kenë prona të cilat nuk i kanë deklaruar në formularin tyre të Pasurisë. Lëvizja FOL kërkon nga Agjencia që të ketë parasysh këto supozime për të nisur një proces hetimi. , thuhet në fund të letrës së Lëvizjes FOL