FOL Hapur me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik z. Blerand Stavileci
Prishtinë, 17 Mars 2017 – Lëvizja FOL me përkrahjen e Charles Stewart Mott Foundation ka mbajtur sot diskutimin e radhës në formatin FOL Hapur me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, z. Blerand Stavileci. Këto diskutime vijnë si rezultat i monitorimit të implementimit të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë, por edhe të ministrive përkatëse.
Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL, tha se me ministrin do të diskutohet rreth punës së kësaj ministrie për këtë periudhë të mandatit, rreth veprimeve që janë realizuar si dhe punëve që janë në proces.
Ministri Stavileci, duke vlerësuar këtë lloj debati, tha se është shumë vështirë që të përmblidhet tërë puna e kësaj ministrie. Ai hodhi theksin në tri fusha të kësaj ministrie: tek energjia, Trepça si dhe tek teknologjia informative.
Sa i përket energjisë dhe ndërtimit të termocentralit Kosova e Re, ministri tha se ky projekt siguron furnizim të rregullt me energji duke përmbushur kështu dy objektivat që i kanë pasur në fillim: furnizimi i rregullt dhe çmimet e përballueshme. “Çmimi maksimal nuk do të jetë më tepër se 80€ euro, për më tepër kjo do të siguroj zhvillim ekonomik si dhe krijim të vendeve të reja të punës”- shtoi ministri. Ndërkaq sa i përket funksionalizimit të termocentralit të ri Kosova e Re, ministri Stavileci tha se sivjet do të përmbyllen procedurat, vitin tjetër fillon ndërtimi dhe do të jetë funksional në vitin 2022.
Gjatë diskutimit rreth minierave dhe Trepçës, ministri tha se ka shumë punë për t’u bërë por që kanë mbetur peng i investimeve e infrastrukturës ligjore. “Sa i përket Trepçës, në vitin 2016 është bërë zgjidhja ligjore, këtë vit do të përfundohet fizibiliteti, e pastaj pason strategjia”- tha ai. Sipas ministrit, gjatë muajve të ardhshëm pritet të krijohet Bordi dhe Statuti e pastaj të bëhet regjistrimi i Trepçës.
Ministri Stavileci diskutoi edhe rreth sektorit të teknologjisë informative, i cili sipas tij, ka ndikuar në rritjen e vendeve të punës. “Me ndihmën e investitorëve të huaj, do të investohet në Start Up-s dhe programe tjera online, të cilat do të ndikojnë në përfshirjen e të rinjve dhe grave në sektorin e teknologjisë informative”, tha ministri Stavileci.