FOL Hapur me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Skender Hyseni

Prishtinë, 3 Mars, 2017 – Lëvizja FOL me përkrahjen e Charles Stewart Mott Foundation ka mbajtur sot diskutimin e dytë në formatin FOL Hapur me Ministrin e Punëve të Brendshme, z.Skender Hyseni.
Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL tha ky diskutim vjen si rezultat i monitorimit dhe vlerësimit kualitativ dhe kuantitativ të punës së Qeverisë së Kosovës dhe ministrive përkatëse, dhe me Ministrin Hyseni do të diskutohet rreth punës së ministrisë që ai drejton pa përjashtuar edhe çështje tjera me interes të përgjithshëm.

Ministri Hyseni vlerësoi këtë lloj diskutimi duke thënë se përveç Kuvendit të Kosovës që mbikëqyrë punën e Qeverisë, për demokracinë është thelbësore që edhe shoqëria civile të jetë e angazhuar në punën që bën Qeveria. Duke shpalosur punën e ministrisë që drejton, Ministri Hyseni tha se ka shpërputhje mes ambicieve dhe të arriturave. “Ministria e Punëve të Brendshme ka përmbushur objektivat kryesore, ndërsa ngecjet kanë ardhur si pasojë e procesit të shtet ndërtimit nëpër të cilin po kalon Kosova” tha Hyseni.

Ministri Hyseni theksoi se çështja e migrimeve ilegale ka qenë ndër problemet më të mëdha me të cilat është ballafaquar në fillim të mandatit. Mirëpo, për shkak të ndjeshmërisë së problemit janë ndërmarrë masa për t’a vënë situatën nën kontroll. Sipas tij, ndër objektivat kryesore të kësaj ministrie ka qenë integrimi i strukturave në veri me ç ‘rast rezultatet sipas tij janë të dukshme por jo të kënaqshme. Po ashtu ministri vlerësoi si arritje edhe nënshkrimin e shumë marrëveshjeve ndërkombëtare ndër to edhe marrëveshja me Frontex.

Rreth rastit Haradinaj dhe ndaljes së tij nga autoritetet në Francë, ministri Hyseni tha se kjo është e papranueshme si nga ana juridike edhe politike. “Ky rast nuk zbeh punën e ministrisë por shton detyra të reja”. Këtu ai përmendi edhe aplikimin për anëtarësim në Interpol, ku sipas tij Kosova ka përfunduar me sukses aplikimin, mirëpo duke qenë se konstelacioni ndërkombëtar është i komplikuar duhet pritur për kriteret e reja që vijnë nga ky institucion.
Sa i përket veriut të Kosovës, Ministri tha se MPB ka shtrirë qeverisjen në polici, administrim lokal dhe inspektorat. Ai shtoi se institucionet e Kosovës shkojnë në çdo pjesë të Kosovës, ndërsa rasti i trenit të nisur nga Serbia nuk bën përjashtim. Ai tha se tërë ai ekzaltim për ndalimin e trenit nuk ka qenë i nevojshëm, për shkak se shteti i Kosovës ka mbrojtur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë.

Ministri Hyseni diskutoi edhe rreth marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Ai tha se kjo marrëveshje është nënshkruar pas aprovimit të raportit të komisionit shtetëror për demarkim dhe pasi presidentja Jahjaga ka autorizuar ministrin e punëve të jashtme dhe të brendshme për ta nënshkruar atë marrëveshje. “Kjo marrëveshje duhet ratifikuar në Kuvend sepse nuk ka fakte që është e dëmshme për Kosovën dhe se ngecja e këtij procesi vetëm sa e ngadalëson liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, tha Hyseni.