FOL Hapur me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. Greg Delawie
Prishtinë, 29 Mars 2017 – Lëvizja FOL me përkrahjen e Charles Stewart Mott Foundation ka mbajtur debatin në Forumin FOL Hapur ku i ftuar ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. Greg Delawie.
Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL tha se me ambasadorin do të diskutojnë rreth krijimit të ushtrisë së Kosovës, korrupsionit në vend dhe sundimit të rendit dhe ligjit.
Ambasadori Delawie tha se duke ditur rëndësinë e madhe që ka shoqëria civile për demokracinë, është kënaqësi që sot të diskutoj rreth çështjeve që prekin dy vendet, Kosovën dhe SHBA-të. Ambasadori tha se lidhja e veçantë që ekziston mes dy vendeve, bën që SHBA-të të jenë edhe më të përkushtuara për suksesin e Kosovës. “Edhe para shpalljes së pavarësisë së Kosovës por edhe më tutje, SHBA-të kanë investuar për forcimin e rendit dhe ligjit në Kosovë, kanë ndihmuar në zhvillimin e bizneseve, në avokimin e të drejtave për pjesëtarët e komuniteteve në Kosovë, në rritjen e kualitetit të edukimit, kemi ofruar asistencë në sistemin gjyqësor, si dhe me projekte tjera me qëllim të rritjes së transparencës në institucionet publike siç është edhe projekti i fundit E-Prokurimi”.
Sa i përket krijimit të ushtrisë së Kosovës, ambasadori tha se janë të gatshëm të angazhohen në këtë proces, mirëpo ka një shqetësim pasi që krijimi i ushtrisë tani, vetëm përmes legjislacionit mund të dëmtoj marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtar si NATO. “Këto marrëdhënie janë vitale për Kosovën pasi që ato kanë dhënë siguri për Kosovën që nga shpallja e Pavarësisë”.
Ndër të tjera Ambasadori shtoi “ Ky nuk është proces që ndodhë brenda natës, është një proces sistematik që mund të ndodhë gjatë vitit 2017, por që kërkon përfshirjen e të gjithë komunitetit”.
Forcimi i sundimit të ligjit dhe transparencës, është një çështje tjetër që u trajtua nga Ambasadori Delawie. Ai tha se korrupsioni dëmton integrimin evropian të Kosovës, ul zhvillimin ekonomik dhe ul besimin e qytetarëve kundrejt institucioneve të tyre. “Duke lënë që korrupsioni të kontrolloj ekonominë dhe punësimin, Kosova rrezikon të humbasë të rinjtë më të përgatitur dhe më të mirë të cilët zgjedhin të shkojnë në vende tjera”- shtoi ai. Më tutje ambasadori tha se ka ende shumë punë për t’u bërë edhe nga sistemi gjyqësor. Sipas tij ky institucion duhet të fitoj besimin e qytetarëve, duke punuar më shumë rreth kualitetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Sa i përket demarkacionit me Malin e Zi dhe kthimit të Listës Serbe në Kuvend, ambasadori tha se kthimi i Listës Serbe është një gjë shumë pozitive sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’i promovojnë interesat e komunitetit që përfaqësojnë. Ambasadori tha se marrëveshja me Malin e Zi është një marrëveshje e drejtë që duhet të kalojë jo vetëm për t’i siguruar Kosovës sovranitet në tërë territorin e saj, por edhe për t’i vazhduar marrëdhëniet e mira me Malin e Zi. “Shpresoj që deputetët do t’i kushtojnë më shumë rëndësi kësaj çështje dhe marrëveshja do të kaloj, sepse Kosova ka shumë çështje tjera në të cilat duhet të fokusohet siç është korrupsioni dhe papunësia”.