FOL avokon për një të ardhme digjitale më të sigurt në Kosovë

Prishtinë, 26 qershor 2023 – Levizja FOL me mbështetjen e Internews dhe USAID, ka organizuar webinarin e dytë me fokus në çështjet thelbësore të lirisë së internetit dhe sigurisë kibernetike në Kosovë. Në këtë webinar u diskutua mbi dobësitë brenda infrastrukturës sonë digjitale që paraqesin kërcënime të rëndësishme për sigurinë dhe privatësinë e qytetarëve tanë, bizneseve dhe institucioneve qeveritare.
Paneliste në këtë webinar ishte Krenare Sogojeva Dermaku, Komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Ajo tha se institucionet duhet të kuptojnë rëndësinë e një zyrtari për mbrojtjen e të dhënave, i cili luan një rol vendimtar në mbrojtje të të dhënave personale dhe kjo më pas ul ndjeshëm rrezikun e krimit kibernetik. “Shoqëria jonë ka nevojë shumë për fushata vetëdijesuese sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale, sepse gjendja aktualisht nuk është në nivelin e duhur”, tha Sogojeva Dermaku.
Lëvizja FOL mbetet e përkushtuar për të mbrojtur një të ardhme digjitale më të sigurt në Kosovë. Së bashku, duke qëndruar të informuar, duke marrë masat e nevojshme paraprake dhe duke mbrojtur masa të forta të sigurisë kibernetike, ne mund të mbrojmë peizazhin tonë në internet dhe të mbrojmë interesat më të mira të qytetarëve tanë.