Fol – Angazhohen prokurorët vendorë

Lëvizja “Fol” me rastin e publikimit të raportit “Monitoruesi i Korrupsionit” për muajin korrik vlerësoi se “Task Forca Anti-Korrupsion”, e cila vepron në kuadër të Prokurorisë Speciale, për herë të parë është funksionalizuar me rastin e arrestimit të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi dhe për herë të parë prokurorët vendorë janë angazhuar në një rast të tillë, të nivelit të lartë.

Në kuadër të aktiviteteve kundër korrupsionit, nga statistikat që lëvizja “Fol” raporton shihet se nga 104 pyetje sa janë parashtruar në Kuvendin e Kosovës, vetëm 41 prej tyre janë bërë për afera të ndryshme korruptive, ndërkaq 63 sosh janë bërë për çështje tjera.

“Gjatë këtij intervali kohor, deputetët më aktiv në denoncimin e aferave korruptive janë Driton Tali me 13 pyetje parlamentare, Naim Rrustemi me 10, Riza Smaka me 5 dhe Gjylnaze Syla me 2”, thuhet në komunikatë, ndërsa ndër aktivitetet kryesore kundër korrupsionit të Qeverisë së Kosovës kanë qenë shkarkimi i zv.ministrit të Transportit dhe Telekomunkacionit të Kosovës, Gjergj Dedaj, miratimi i Projekt-Ligjit për Prokurimin Publik dhe inicimi i nxjerrjes së Ligjit Anti-Mafia.

Po ashtu, Policia e Kosovës ka filluar fushatën e saj anti-korrupsion përmes shpërndarjes së broshurave për sensibilizimin dhe vetëdijesimin e qytetarëve për denoncimin e aferave korruptive. Ka arrestuar edhe një zyrtar të pylltarisë në Komunën e Pejës, mirëpo është liruar nga gjyqtari i Gjykatës Komunale në Pejë, ani pse ka pasur fakte të mjaftueshme për dënimin dhe burgosjen e tij.

Në kuadër të Doganave të Kosovës janë shqiptuar 4 masa disiplinore dhe 4 zyrtarë tjerë janë suspenduar për shkak të shpërdorimit të detyrës zyrtare.

Ndërkaq, nga 177 artikuj të publikuar nga gazetat e përditshme (Koha Ditore, Zëri, Kosova Sot dhe Express), vetëm 62 janë realizuar si tema, ndërkaq 115 prej tyre si lajme. Derisa Koha Ditore dhe Zëri janë fokusuar më shumë në kritikat ndaj ekzekutivit të vendit dhe ndërmarrjeve publike, kritikat e Kosova Sot janë përqendruar më shumë në gjyqësorin e Kosovës.

Ndryshe, niveli i lartë i korrupsionit dhe krimit të organizuar në institucionet publike ka alarmuar edhe deputetët e Parlamentit Evropian. Në Rezolutën e miratuar për Kosovën është kërkuar që viti 2010 të jetë viti i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. /Telegrafi/