Lirim Mehmetaj – Fitues i vendit të parë në Garën e Esesë kundër Korrupsion nga Lëvizja FOL

Lirim Mehmetaj ishte fitues i vendit të parë në Garën për Esenë kundër korrupsion të organizuar nga Lëvizja FOL. Esenë e Lirimit mund ta lexoni më poshtë.

 

 

Lirim Mehmetaj 

Ese për Korrupsionin në Kosovë

 

Pas Luftës se Dytë Botërore Japonia po ristrukturonte dhe rindërtonte institucionet shtetërore. Për ta bërë këtë ata po ndihmoheshin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Format e ndihmës ishin nga më të ndryshmet. Një nga to – dërgimi i ekspertëve amerikanë që do të mësonin nëpunësit japonezë se si nuk duhet të korruptohen. Kur ligjëruesit amerikanë filluan të tregonin për këtë sëmundje institucionale, japonezët kishin mbetur të habitur, jo nga aftësia ligjëruese e jenkive, por nga mosdija se për çfarë po flitej. Në Japoni as nuk e kishin idenë dhe as që e besonin që një njeri shfrytëzon vendin e punës për të përfituar jo ligjshëm para.

Vetëdija e nihonëve për respektimin e institucioneve gati se ishte gjenetike nga tradita shekullore burokratike mandarine, e cila shtrihet në Azi, me specifika të betonuara në Japoni.

Ky tregim edhe mund të mos jetë i vërtetë në tërësinë e tij, porse në Japoni korrupsioni është në nivel gati invizibël, ky është fakt kokëfortë.

Në Kosovë përralla do të mund të tregohej mbrapsht. Kosovarët dhe e kaluara e tyre flet të kundërtën e Japonisë.

Në tokën e mëllenjave tradita dhe historia janë në opozitë me institucionet. Derisa vazhdimisht të sunduar, shqiptarët e Kosovës në forma të ndryshme kishin arritur të krijonin një perceptim morali që lidhje veç me familjen e fisin, jo me shtetin dhe netvorkin e tij.

Më shumë se kaq, duke jetuar në një shtet që nuk e njihini si të tyre, realizimi patriotik bëhej duke e luftuar institucionin, asnjëherë duke e respektuar.

Të bashkëpunoje me shtetin ose ta respektoje atë mund të cilësoheshe tradhtar. Shqiptarët në Kosovë kanë mbijetuar, në kuptimin kombëtar, pikërisht duke e kundërshtar sistemin.

Ata të paktë që ishin brenda strukturës shtetërore keqpërdorimin e pozicionit e kanë prezantuar si arsyetim, të paktën para vetes, se po e shfrytëzojnë sistemin, duke e përdorur për fitime vetjake, kështu korruptoheshin. Diçka që në shoqërinë kosovare as s’përbënte krim e as imoralitet.

Kjo u shndërrua në kulturë.

Rezultati?

Korrupsion ominprezent.

Dhe tani rregullat zyrtare mund të ndryshohen menjëherë si çështje e politikës publike, por assesi ato kulturore. Megjithëse ndryshojnë gjatë kohës, është shumë më e vështirë, gati e pamundur, të drejtohet zhvillimi i ndryshimit.

Korrupsioni, që Aristoteli, me një tjetër shprehje me kuptim të njëjtë, i referohej si humbja e veseve të mira, është shndërruar në ves bazik, sepse duke u bërë i përditshëm është shndërruar në shprehi, duke qenë shprehi rrjedhimisht është bërë i natyrshëm.

Natyrshmëria s’luftohet, është e panatyrshme.

__________

Sipas barometrit të Transparency International për korrupsion, Kosova është rankuar e 103 nga 168 vende. Për ta pasur më të çartë se çfarë pozicioni është ky; vetëm Bjellorusia është katër vende më keq në Europë, kurse Moldavia është në pozicion të njëjtë. Në Ballkan konkurrencë bënë Shqipëria, por prapë larg është, e 88-ta[1].

Matjen e këtij institucioni Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e ka quajtur percepcion, duke nënkuptuar me këtë se nuk është fakt, por përshtypje.

Normalisht që është percepion. Korrupsioni nuk është shkencë që të bëhen matje të sakta dhe të dilet me të dhëna. Është veprimtari e paligjshme e cila bëhet fshehurazi, duke mos u dokumentuar. Po të dokumentohet atëherë më nuk është perceptim, por është fakt, vepër penale, dhe po që se faktohet tërë kohën, atëherë më nuk ka korrupsion, ka të burgosur.

Ky perceptim i bazuar u shpërfaqet në realitet qytetarëve të Kosovës sa herë kanë punë me Vrimën e Zezë – Administratën Publike. Çdo i shtati nga dhjetë kosovarë të rritur të paktën një herë në vit i jep ryshfet ndonjë nëpunësi për të kryer një shërbim[2].

Duke ditur se në Kosovë shteti është punëdhënësi më i madh, rastet më të shpeshta kur njerëzit ballafaqohen me korrupsionin, janë kur kanë nevojë për shtetin – shërbimet e tij, ndaj dhe mitoja shfaqet si rregullator i këtyre marrëdhënieve të lerosura mes shtetit dhe shtetasit.

Në komunë, në stacion policor, në gjykatë, në ambulantë, në Universitet dhe në çdo institucion tjetër të Republikës kërkesa për ryshfet është përshëndetja jo zyrtare.

Sipas studimeve, në çdo tetë persona që u kërkohet ryshfet në Kosovë, vetëm një nga ta refuzon të paguajë, të paktë janë edhe ata që e raportojnë kërkesën e paligjshme.[3]

Arsyet për mosraportim janë të ndryshme, por dy janë më brengosëse.

E para: Shumë qytetarë në Kosovë lekun e dhënë për të kryer një punë, ose për të përshpejtuar kryerjen nuk e nënkuptojnë si krim real.

Ballafaqimi më shërbyes administrativë është në relacion të çuditshëm ku “shërbyesit” sillen në mënyrë autoritare ndaj atyre që iu “shërbejnë”, duke u dhënë kështu përshtypjen se po kryejnë ndonjë favor të cilin do të mund të mos e bënin. Dhe një shumë e vogël parash u nevojitet për ta larguar autoritarizmin dhe për ta kthyer qëndrimin e sjelljen në “normale”.

E dyta: Qytetarët janë të bindur se raportimi i është i kotë dhe shterp, sepse asgjë nuk do të ndërmerret dhe rrjedha e përgjithshme do të vazhdojë.

Kjo është normalisht çmenduri, por çmendurisht normale, sepse gjykatat, ku do të duhej të trajtoheshin rastet, janë ndër institucionet më të korruptuara në Kosovë, bashkë me institucionet dhe organizatat politike – partitë.

_________

Duke qenë se era e pasluftës në Kosovë filloi kryesisht nën dominimin e atyre që e bënë luftën edhe partitë politike u formuan nga ata. Pastaj edhe institucionet u dominuan nga ta, ose ndjekësit e tyre. Administrata – ku korrupsioni është në apeks – është e mbushur prej tyre, ose të dërguarit e tyre, ndaj edhe makiavelizmi s’kishte si të mos shprehej ku njerëzit tregtuan sakrificën e bërë gjatë luftës, me lakmi pas përfundimit të saj.

Siç edhe dihet, çdo rregullim i ri, sidomos shtetëror, prodhon fitues edhe humbës dhe në Kosovë rolet janë ndarë drejtvizorisht. Janë ata që përfitojnë nga korrupsioni dhe të tjerët, shumica, që humbin nga ai. E keqja është se askush më nuk po tenton ta ndryshojë lojën, por ekzistojnë vetëm përpjekjet e njëanshme individuale për të ndërruar anë.

__________

Për probleme të tilla si korrupsioni shkencërisht nuk ka modele që e rregullojnë situatën. Asgjë nuk mund të importohet, sepse ide dhe rregullime që funksionojnë në një vend, janë totalisht të paefektshme në vende të tjera, për shkak të specifikave unike që ka secili shtet dhe konteksteve që normalisht ndryshojnë.

Shkarravitjet institucionale për ta luftuar korrupsionin në Kosovë përmblidhen në ligje si; Ligji për Agjencinë Kundër-Korrupsion, Ligji për deklarimin e pasurisë dhe prejardhjen e saj, po ashtu edhe origjinën e dhuratave dhe Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit.

Ndërsa Agjencia Kundër-Korrupsion vetëkënaqet me Plane (mos)Veprimi bazuar në strategji, të tilla si ajo për vitet 2013-2017[4], që mjaftohen me fraza boshe dhe tekste te majmura me frazeologji sa për të llokoçitur dokumente.

Agjenci si kjo Kundër-korrupsion të rëndësishëm e kanë raportimin, duke lënë anash luftimin, i cili edhe ashtu nuk ka efekt, pasi funksionon në atë mënyrë, që krejt çfarë bënë është njëfarë kërkese ndaj politikanëve për vullnetarizëm në raportim.

Një kakushë tjetër shkretane për “luftimin” e fenomenit korrupsion, është edhe ideja e importuar e tryezave të rrumbullakëta për të rritur vetëdijesimin, që më shumë ngjajnë në tavolina suedez ku çdokush thotë diçka veç pse gjendet rreth saj.

Tentativat e joserioze për ta mposhtur korrupsionin në Kosovë e kanë bërë situatën të duket e pashpresë. Si pasojë, korrupsioni përkundër se matet si percepcion, jetohet si fakt. Ai mbytë të drejtën universale për të pasur një të ardhme reale ku vlera njerëzore nuk është në përpjesëtim me atë monetare. Një shoqëri me korrupsion gjymton të drejtat bazike nga pushteti i tepruar i disave, ndërsa të drejtat ligjore e kushtetuese duken premtime boshe e dëshira për një jetë të dinjitetshme tingëllon cinike.

Jeta e shoqëruar me korrupsion galopant, idenë se të gjithë pjesëtarët e shoqërisë u nënshtrohen ligjeve dhe se të gjithë janë të barabartë kundrejt tyre e bënë të duket karikaturë.

__________

Në ndërkohë, pritja se reformat përmirësuese për të luftuar korrupsionin do të vijnë nga vullneti politikë i politikanëve është naivitet fëmijëror. Pa një kërkesë shoqërore të mirëfilltë vështirë së ndryshohet diçka. Nevojitet një kërkesë e fortë e brendshme për institucione të përgjegjshme. Ajo nuk duket të jetë thjeshtë stenografike, por e artikuluar dhe rrënjësore. Sepse, shumica e rasteve të suksesshme të ndërtimit të institucioneve të përgjegjshme kanë ardhur nga kërkesa e brendshme.

Një barsoletë e treguar mes ekonomistëve ka për protagonistë një ekonomist dhe një student që ecin në një rrugë. Studenti sheh një bankënotë 100 eurosh në trotuarin përballë dhe niset për ta marrë, por ekonomisti i shpjegon se bankënota nuk mund të jetë atje, sepse po të ishte, do ta kishte marrë dikush tjetër.

Me fjalë të tjera, prirja është se nëse ekziston nxitja, ajo do ta stimulojë automatikisht dhe medoemos sjelljen.

Gjithsesi, në gjë është e sigurt, rezultati final kryekëput do të varet prej natyrës së shoqërisë civile dhe kërkesës popullore në përgjithësi dhe aspak nga reforma dhe planifikimi i çfarëdoshëm institucional.

 

[1] Baromteri i Transparency International pwr vitin 2015 – (https://www.transparency.org/cpi2015/)

[2] United Nations Office on Drugs and Crime, Corruption in Kosovo: Birbery as Experienced by the Population, (Vjenë, 2011), 3.

 

[3] United Nations Office on Drugs and Crime, Corruption in Kosovo: Birbery as Experienced by the Population, (Vjenë, 2011), 8.

[4] Agjencia Kundër Korrupsionit, Strategjia Kundër Korrupsionit 2013-2017, (Prishtinë, Nëntor 2012)