Financat e partive, çelësi për luftim të korrupsionit

Partitë Politike në Kosovë janë kampione të jo-transparencës në burimet e pasurisë dhe financave të partisë në Kosovë. Një situate si kjo ka kontribuar në shpërndarjen e korrupsionit duke dobësuar përpjekjet e institucioneve përgjegjëse në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit.  Partitë Politike në Kosovë janë mbretëri në vete ku dominon nepotizmi, konflikti i interesit dhe mbi të gjitha mungesa e vullnetit politikë për të mbështetur një agjendë efektive kundër krimit dhe korrupsionit.

Lidhja ndërmjet korrupsioni, krimit të organizuar dhe partive politike është një raport pothuajse i pashmangshëm dhe një problem me të cilin ballafaqohen edhe vendet me nivel të lartë të sundimit të ligjit. Njëra nga temat më të nxehta të debatit gjatë garës presidenciale në SHBA ishte pikërisht premtimi i Obamës për të ndaluar ndikimin e grupeve të lobimit të cilat mbështeten nga ndërmarrje dhe grupe të interesit.  Gjendja në SHBA pothuajse ka pamundësuar komunikimin dhe ndikim qytetar tek ligjvënësit për shkak të lidhjeve të ngushta të tyre me grupe lobuese.  Në zgjedhjet e fundit në Kosovë edhe një herë është dëshmuar se partitë politike nuk kanë pasur vullnet të bëjnë publike financat e tyre. Kemi pa zëdhënësit e partive duke dhënë shifra 500 mijë, 600 mijë, etj mirëpo pa dhënë asnjë informacion për prejardhjen e këtyre financave.

Verena Blechinger në Raportin ?Korrupsioni dhe Partitë Politike? vë në pah format e korrupsionit të partive politike të cilat janë të njohura për opinion Kosovar. Megjithëse ky raport është bërë në vitin 2002 gjërat vazhdojnë të jenë të freskëta.  Për të mbushur buxhetin e tyre të fushatës, partitë pranojnë donacione nga donatorë të pasur ndonjëherë edhe përmes kërcënimeve me përjashtim nga fitimi i kontratave publike në rast se ndërmarrje përkatëse nuk kontribuon për partinë.  Ndonjëherë vetë pagesat e anëtarësisë së partisë mund të shërbejnë për korruptim ose shpërlarje të parasë.  Një skenar i këtillë i ngjashëm së fundi ka marr edhe dënim nga ana e Gjykatës në Kosovë.  Në prononcime publike kemi dëshmuar deklarata të zyrtarëve të lartë partiak për pranim të dhuratave në mall; si ndërtim shtëpie apo veturë.

Një tjetër shfaqje e korrupsionit në fushën e partive politike është edhe blerja e votave. Në vendet në zhvillim, dhe sidomos në vendet ku patronazhi është një faktor i rëndësishëm shoqëror, votuesit mund të presin dhurata nga partitë dhe kandidatët para zgjedhjeve dhe pastaj të marrin vendimin e tyre në bazë të sasisë dhe cilësisë së dhuratës përkatëse.  Pasi një traditë e tillë të jetë vendosur, votuesit gjithashtu kanë gjasa për të kërkuar në vazhdimësi dhurata në këmbim të votave. Ne gjithashtu mund të konsiderojnë korrupsion edhe kur liderët e partisë kërkojnë donacione nga anëtarët e partisë si një parakusht për avancimin në hierarkinë e partisë apo për fitim të drejtës për udhëheqjen e partisë.

Me 22 Shkurt Komisioni për Buxhet dhe Financa i Parlamentit të Kosovës organizoi një dëgjim publik për Projektligjin për Financimin e Partive Politike.  Për të treguar vullnet politikë për luftim të korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe me qëllim që të dëshmojnë seriozitetin e tyre për mbështetje të transparencës dhe llogaridhënies asnjë prej partive kryesore politike nuk morri pjesë në këtë dëgjim publik.

Instituti Demokratik i Kosovës dhe Lëvizja FOL