Dështimet e Kuvendit në Funksionalizimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi
Prishtinë, 2 dhjetor 2020 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot diskutimin online, me ç’rast ka publikuar raportin “Dështimet e Kuvendit në Funksionalizimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi”. FOL ka monitoruar dhe analizuar tërë procesin e përzgjedhjes së Komisionerit për Informim dhe Privatësi, i cili nuk ka arritur të zgjedhet për tri herë me radhë nga Kuvendi, dhe ka paraqitur të dhëna në lidhje me mbarëvajtjen e të tri konkurseve si dhe janë dhënë rekomandime për çështjet përkatëse.
Mexhide Demolli-Nimani, drejtore e Lëvizjes FOL tha se FOL së bashku me organizatat si Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, Instituti GAP, Instituti D4D, Grupi për Studime Politike dhe Juridike, Çohu, Instituti Demokratik i Kosovës dhe aktivistja Flutura Kusari kanë monitoruar tri proceset e dështuara për zgjedhjen e Komisionerit. “Ne si koalicion ad-hoc kemi monitoruar të tri konkurset sa i përket zgjedhjes së Komisionerit dhe fatkeqësisht po bëhen dy vite dhe Kuvendi ende nuk ka arrit ta zgjedh komisionerin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi”, tha Demolli Nimani.
Ndërkaq Albana Hasani nga Lëvizja FOL prezantoj gjetjet nga ky monitorim, ku përveç detajeve nga tri konkurset e këtij procesi, tha se “edhe përkundër faktit se Komisioneri i Agjencisë për Informim dhe Privatësi nuk është zgjedhur ende, Agjencia për Infomim dhe Privatësi ka vazhduar të sjellë vendime, këshilla dhe opinione ligjore“. Sipas Hasanit, gjatë periudhës korrik 2019 – korrik 2020 Agjencia për Infomim dhe Privatësi kishte dhënë 10 këshilla ndaj zyrtarëve përgjegjës të institucioneve dhe kishte sjellur 28 vendime, vendime këto të nënshkruara nga zyrtarë të tjerë të këtij institucioni, në mungesë të komisionerit. Në fund, Hasani tha se ndryshimi i ligjit sa herë që shfaqen vështirësi në zbatimin e tij në praktikë paraqet anomali juridike dhe si e tillë nuk duhet të përvetësohet.
Fatmire Kollçaku, Kryetare e Komisionit Parlamentar për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, tha se ndër problemet evidente është çështja e përvojës menaxheriale meqenëse nuk është theksuar mirë në konkurs dhe nuk është definuar qartë se çfarë përvoje duhet të ken, ndërsa unë kam kërkuar edhe interpretim ligjore. Ndër të tjera, Kollçaku tha “asnjëherë nuk kam marr vendim vet, dhe me është thënë se vetë ligji ekzistues është ne kundërshtim me Kushtetutën sepse vetëm në disa raste duhet të shkohet me 2/3 të votave, dhe jo edhe për zgjedhjen e Komisionerit”.
Agim Maraj nga Ambasada Britanike në Prishtinë tha se Ambasada Britanike që katër vite është e angazhuar në shumë procese rekrutuese dhe të gjitha janë zhvilluar me ndihmën e eksperteve britanik të cilët kanë sjellë një përvojë të re. Maraj ndër të tjera tha se “ne kemi vendosur që të tërhiqemi dhe të mos marrim pjesë në konkursin e katërt kurdo që bëhet dhe ky mos votim kam frikën që do të paraqes sinjal negativ për profesionistet e ardhshëm që do të aplikojnë”.
Jarmo Feliks Helppikangas, Këshilltar Ligjor në Zyrë e BE-së në Kosovë tha se ne kemi vëzhguar tërë procesin e përzgjedhjes së komisionerit dhe e kemi pritur me shqetësim vendimin për ndryshimin e ligjit. Sipas Helppikangas roli i shoqërisë civile në tërë këtë proces ka qenë tejet i madh dhe këtë e karakterizon një shoqëri demokratike.
Flutura Kusari, aktiviste dhe juriste e të drejtës së mediave, ndër të tjera tha se “duhet të falënderoj për bashkëpunim dhe mikpritjen Kryetaren e Komisionit, znj Kollçakun, dhe Kuvendin në tërësi, Ambasadën Britanike dhe Zyrën e BE-së dhe gjithë ky bashkëpunim ka ndiku që ne me e kry punën më mirë”. Kusari gjithashtu tha se ky Agjencion i ka dy role, rolin e mbrojtjes së të dhënave personale dhe në anë tjetër roli i saj në transparencën publike prandaj shoqëria civile ka interes që ky institucion me funksionu si duhet. Në fund Kusari tha se nëse ndryshohet ligji dhe zgjedhja e komisionerit bëhet me shumicë të thjeshtë të votave, kapja e Agjencionit do të vazhdoj, veçse nuk dihet nga cila parti politike dhe si rezultat do të kemi një institucion që nuk do të ketë mbështetjen e të gjitha partive politike.