Deklarimi i pasurisë, hap i progresit në luftimin e korrupsionit
Opinion botuar ne Koha Ditore,17Janar 2010:
Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon ta qarkulloj nga zyra në zyrë Projektligjin për Financimin e Partive Politike i cili së bashku me Ligjin për Deklarimin dhe Prejardhjen e Pasurisë së Zyrtareve të lartë publik përbëjnë nismën më të rëndësishme legjislative të kohëve te fundit në fushën anti-korrupsion. Instituti Demokratik i Kosovës dhe Lëvizja FOL kanë realizuar një seri tryezash në komunat e Kosovës ku është diskutuar për projektligjin për Financimin e Partive Politike, duke marrë kështu vlerësimet dhe rekomandimet që do të duhej të përfshihen në këtë Ligj.
Në këto tryeza të organizuara me përfaqësues të partive politike dhe shoqërisë civile, janë diskutuar mundësitë e gjetjes së zgjidhjeve më të mira të cilat do të shërbenin rregullimit më të mirë të parimit qenësor të këtij ligji që ka të bëjë me transparencë dhe llogaridhënie më të madhe nga ana e partive politike sidomos nw burimet e financimit dhe shpenzimit. Pjesëmarrësit e këtyre tryezave zakonisht kanë vlerësuar se Kuvendi i Republikws sw Kosovës është vonuar dhe Ligji për Financimin e Partive Politike duhet që të nxirret sa më shpejt si dhe kanë vlerësuar se Ligji duhet të rregulloj çështjen e financimit edhe të partive jashtë Parlamentit. Partitë politike jashtë parlamentit kanë kërkuar që edhe ata të përfshihen në përfitimin e mjeteve nga fondi për mbështetje të subjekteve politike që projekti ligji aktual parasheh të krijoj.
Deri më tani partitë e vogla apo ato që janë jashtë Parlamentit kanë qenë disi të diskriminuara. Po ashtu është konstatuar se donatorët të cilët japin kontributet për një parti, druajnë nga publikimi i emrave të tyre dhe se hezitojnë të financojnë partitë e vogla. Duhet të jepet mundësia që edhe subjektet politike të cilat janë jashtë Parlamentit, të financohen nga fondi për mbështetje të subjekteve politike. Auditimi i partive politike duhet të rregullohet me ligj dhe jo me akte nënligjore si dhe duhet që partitë politike në nivel lokal, ta gëzojnë të drejtën që të financohen nga buxheti i Kosovës. Raportet financiare të partive duhet që domosdo të publikohen në ueb faqe të partive dhe të KQZ-së.
Duhet të caktohet një limit për shumën e donacioneve dhe shumën e anëtarësimit për një vit. Projektligji duhet të ketë parasysh edhe financimin e kandidatëve të pavarur. Gjithashtu Degët e partive politike ? duhet të kenë numrin e xhirollogarisë, si dhe të marrin përgjegjësitë për donacionet (kryetari, sekretari). Donacionet gjatë fushatave elektorale duhet të sanksionohen dhe limitohen me ligj. Të ketë limitim ? kufizim te shumës maksimale të mjeteve të shpenzuara për fushate për një parti. Përderisa rekomandimet e lartshënuara janë mbështetur nga zyrtaret e partive politike në komunat përkatëse, zyrtaret e partive politike në Prishtinë e kanë vonuar ligjin pikërisht për shkak të kërkesave për transparencë publike të financave të partive politike.
Duhet të kujtojmë se zv. Kryeministri Hajredin Kuqi pati premtuar se Ligji për Financa të Partive Politike do të ishte gati para zgjedhjeve por një gjë e tillë nuk ndodhi. Kjo sjellje anti-transparencë dhe anti-llogaridhënie e deputeteve dhe zyrtareve partiak për ligjin për financimin e partive politike si dhe për ligjin për deklarimin dhe prejardhjen e pasurisë së zyrtareve të lartë publik dëshmon mungesë të vullnetit politikë për të luftuar korrupsionin si dhe sinjalizon fuqizimin të krimit të organizuar. Megjithatë janë qytetarët e Kosovës ata që më së shumti do të dëmtohen duke u përjashtuar nga integrimi evropian për faje të mungesës së vullnetit politik nga ana e institucioneve qeveritare në Kosovë që të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar Përpjekjet që ligji për Financimin e Partive Politike dhe ai për Deklarimin dhe Prejardhjen e Pasurisë së Zyrtarëve Publik të mos kërkojnë publikimin e pasurisë për publikun e gjerë por vetëm për disa institucione të caktuara janë cenuese për parimin e llogaridhënies dhe transparencës. Gjithashtu Ligji për Financimin e Partive Politike duhet që të rregulloj aspektin e dhuratave.
Duke qenë se tani më publikisht disa zyrtar dhe lider të partive politike, pasurinë e partisë dhe të tyren personale e lidhin me dhurata që janë bërë në emër të partisë ligji duhet të sanksiononte këtë aspekt dhe publicitetin e donacioneve të tilla.
Instituti Demokratik i Kosovës dhe Lëvizja FOL
(Botuar ne Koha Ditore, 17Janar 2010)