Deklaratë e përbashkët për lirinë e shprehjes në Kosove
Përmes kësaj deklarate, shprehim shqetësimin tonë për kanosjen e vazhdueshme të fjalës së lirë dhe punës së shoqërisë civile në Kosovë. Një kanosje e tillë, në vazhdën e përpjekjeve për të disiplinuar fjalën e lirë dhe mendimin kritik, është bërë në shkrimin kryesor të gazetës së përditshme Express, shkrim ky që shkel të gjitha parimet etike e profesionale të gazetarisë.
?Raporti Intim? botuar në Express me 30 maj 2010, me qëllim të njollosë një raport të publikuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR-Kosovë) rreth gjendjes së lirisë së shprehjes në Kosovë, ka ndërhyrë në jetën private të autorit të raportit, Alex Anderson, duke vënë paralele të pabaza dhe jo-etike mes jetës së tij private dhe raportit në fjalë.
Shkrimi në Express, i botuar në ballinë të gazetës, jo veç që është i pa-balancuar dhe joprofesional, por për më shumë nxitë urrejtje ndaj zotëriut Anderson, Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut YIHR-Kosova si dhe Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese në BIRN-Kosova.
Përderisa, ne nuk gjykojmë orientimin politik të një mediumi, ne vlerësojmë lartë punën profesionale disa mujore që ka çuar deri tek hartimi dhe publikimi i raportit ?Tkurrja e hapësirës publike? nga YIHR-Kosova, i cili vë në pah probleme të cilat mbështeten në fakte.
Shkrimi i botuar në Express tërheq vëmendjen e publikut nga faktet e prezantuara të korrupsionit dhe keqpërdorimeve me fonde publike në Raportin ?Tkurrja e hapësirës publike?, në çështje të parëndësishme në këtë kontekst, siç është statusi martesor i bashkë-autorit të raportit në fjalë.
Dënojmë shkrimin e botuar në Express si të pa-balancuar, jo-etik dhe tendencioz. Në të njëjtën kohë, shprehim mbështetjen tonë të fuqishme për punën profesionale që YIHR ka bërë me botimin e raportit ?Tkurrja e hapësirës publike?, dhe bëjmë thirrje për respektim të privatësisë dhe lirisë së shprehjes.
Mbrojtësit e të Drejtave Civile (ish- Komiteti Suedez i Helsinkit Klubi për Politikë të Jashtme, Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), Lëvizja FOL,Zhvillimi i Komuniteteve ne Mitrovicë (CBM), Iniciativa për Progres (INPO), Syri i Vizionit (SiV), Instituti Ballkanik i Politikave (IPOL), Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)