Deklaratë e Lëvizjes FOL përkitazi me Raportin e Transparency International

Prishtinë, 26 Tetor 2010 – Me rastin e publikimit të Indeksit të Perceptimit për Korrupsionin nga ana e Transparency International, Lëvizja FOL shprehë shqetësimin e saj në lidhje me nivelin e lartë të korrupsionit dhe shtrirjen e gjerë të tij në institucionet publike. Sipas këtij Raporti, Kosova renditet në vendin e 110, krahas vendeve më të korruptuara dhe më të dështuara në botë.

Ndonëse në njërën anë ky Raport paraqet një pikë të rëndësishme për Kosovën, ngase për herë të parë është përfshirë në kuadër të këtij Raporti, ana tjetër e zezë e këtij Raporti është që Kosova portretizohet ndër vendet më të korruptuara në botë. Kjo renditje tregon që aferat korruptive, jo vetëm që janë duke e dëmtuar Kosovën nga brenda, por janë duke e dëmtuar edhe në planin e jashtëm apo në atë ndërkombëtar.

Ky Raport konfirmon edhe njëherë, raportet e Lëvizjes FOL të publikuara me herët, kur i kemi bërë thirrje institucioneve tona që ta luftojnë seriozisht korrupsionin dhe të mos mjaftohen veç me deklarata dhe premtime boshe. Në këtë kuptim, ky Raport duhet të jetë një alarm për institucionet tona që ta luftojnë seriozisht korrupsionin, duke reduktuar kështu mundësinë e abuzimit me paranë dhe autoritetin publik në Kosovë.