BE: Nga Qeveria e re presim rezultate reale në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit
Prishtinë, 11 dhjetor 2014 – Lëvizja FOL ka organizuar diskutimin me temën: “Kosova sipas Raportit të Progresit 2008 – 2014”, ku është diskutuar për rolin e Bashkimit Evropian në Luftën ndaj korrupsionit, Sundimin e Ligjit, Reformimi i Administratës Publike dhe Sistemit të Drejtësisë. Panelistë të këtij diskutimi ishin: Thomas Gnocchi, Shef i Seksionit Politik, Ekonomik dhe Integrimit i Zyrës së BE-së në Kosovë si dhe Venera Hajrullahu, Drejtore Ekzekutive në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile.
Sibel Halimi nga Lëvizja FOL tha se Raporti i Progresit është instrument i Bashkimit Evropian që matë progresin e Kosovës në shumë fusha. Në të shumtën e rasteve është shkruar me një gjuhë të balancuar dhe shumë teknike. Si instrument i BE-së nuk është koherent dhe shumë herë krijon konfuzion se si është bërë matja e progresit dhe regresit në fusha të caktuara. Përgjithësimi i disa çështjeve për bën njërin nga problemet kryesore të raporteve të përfshira në analizë (2008 -2014). Në këtë kontekst shumë konstatime janë të përgjithësuara pa qenë specifike se sa më të vërtet është arritur një progres në një fushë të caktuar. Po ashtu, raportit i mungon qartësia se si është bërë matja e progresit/regresit, gjë e cila ka paraqitur edhe sfidën kryesore gjatë analizimit të raporteve të progresit dhe studimit të fizbilitetit për gjatë kësaj periudhe. “Kjo po ashtu e vështirëson punën e institucioneve të Kosovës të cilat i referohen raportit të progresit dhe në bazë të cilit këto institucione të ndërtojnë veprime konkrete se si mund të zhvillojnë fushat në të cilat raporti i progresit konstaton ngecje apo progres të pjesshëm. Në të shumtën e rasteve institucionet për shkak të metodologjisë se si është hartuar ky raport i vetë interpretojnë këto arritjet edhe ngecjet sipas perceptimit të tyre, dhe në bazë të këtij perceptimi ata ndërtojnë prioritetet dhe objektivat e tyre”, tha Halimi.
Thomas Gnocchi, Shef i Seksionit Politik, Ekonomik dhe Integrimit i Zyrës së BE-së në Kosovë tha se Raporti i progresit është një dokument që kthen mbrapa. Risi për këtë vit sipas tij është që janë munduar të theksojnë disa elemente që qeveria duhet t`i kryej. “Nga qeveria e re presim rezultate reale në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto janë çështje kritike. Është çështje e vullnetit politik për t’i luftuar këto dukuri. Kjo është ajo që pritet nga qeveria e re”, tha Gnocchi. Sipas tij, metodologjia e hartimit të Raportit të Progresit nuk është përdorur gjithmonë e njëjta. Prandaj, shihni ndryshime nga viti në vit, por kjo nuk do të thotë se duhet ta shihni raportin si jo profesional. “Ne i marrim të dhënat nga të gjitha burimet e mundshme në Kosovë dhe qëndrojmë prapa këtij raporti. Atë që e bëjmë zakonisht është se ne e shohim se ku kemi qenë vitin e kaluar dhe mundohemi të jemi konsistent në atë që e bëjmë. Sundimi i ligjit për disa vite ka qenë kruciale për ne në procesin para hyrjes në BE përfshirë këtu edhe Kosovën. Prioritet tona janë gjithmonë të qartësuara jo në këtë raport por në strategjinë e anëtarësimit. “Vitin e kaluar kemi ardhë me strategjinë ekonomike. Tani fokusimi i ri ka të bëjë me reformën në Administratën Publike”, deklaroj Gnocchi.
Venera Hajrullahu, Drejtore Ekzekutive në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile tha se Raporti i Progresit ndër vite ka pasur terme të përgjithësuara, balancim dhe politizim. Sipas saj, ka qenë e pamundur krahasimi me vitet e shkuara apo me vendet e rajonit. Në këtë kontekst sipas saj, po humbet mundësia për një aleancë të rëndësishme me qytetarët dhe mediat që do të duhej të kontribuonin procesit përmes një presioni konstruktiv dhe monitorimi e raportimi ditor mbi progresin e vendit në përmbushjen e standardeve të BE-së apo në përgjithësi relacioneve me BE-në. “Kosova po bën procesin e vet të integrimit në një formë ndryshe nga vendet tjera kandidate apo kandidate potenciale, që është më komplekse dhe më e vështirë”, tha Hajrullahu. Ajo shtoj se përkundër dobësive Raporti i Progresit mbetet dokumenti qendrorë i procesit të stabilizim asocimit, rreth të cilit zhvillohet dialogu politik e teknik, programohet ndihma financiare dhe vihen në funksion instrumente tjera. Gjithashtu përkundër ambiguitetit na jep një pasqyrë mjaftueshëm të qartë se ku qëndrojmë me zbatimin e reformave që synojnë përafrimin e Kosovës me BE.