BANKAT TË ZGJEROJNË PLANET PËR PEZULLIMIN E PAGESAVE TË KREDIVE, NDËRSA QEVERIA TË NDIHMOJË QYTETARËT NË NEVOJË
Prishtinë, 17 mars 2020 – Numri i personave të prekur nga pandemia e Coronavirusit (COVID-19) vazhdon tё rritet, ndërsa masat e ndërmarra duhet të jenë në përputhje me shkallën e rrezikut dhe dëmeve anësore. Ne, organizatat e shoqërisë civile të listuara në fund, përshëndesim veprimet e Qeverisë së Kosovës për parandalimin e përhapjes së virusit, duke besuar se institucionet e Kosovës do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme parandaluese për të zvogëluar efektet e kësaj emergjence shëndetësore, dhe jo vetëm. Ne, po ashtu i mirëpresim përpjekjet e qeverisë dhe institucioneve kompetente në sektorin financiar për masat lehtësuese fiskale e financiare, me qëllim që të lehtësojnë përballjen e qytetarëve me pandeminë.
Situatat e jashtëzakonshme si kjo prekin më së shumti shtresat më të lëndueshme të popullsisë, në veçanti ata me gjendje ekonomike më të rënduar. Qysh në ditët e para të kufizimeve të aktiviteteve afariste, qytetarët kanë raportuar për largime nga puna, detyrim për të marrë pushim pa pagesë apo pasoja tjera të cilat drejtpërdrejtë e ndikojnë gjendjen ekonomike të tyre. Edhe ata me të ardhura më të rregullta kanë raportuar shpenzime të mëdha në ushqim e barna. Mirëpo edhe përgjatë një viti të zakonshëm pa kriza si kjo, ekonomitë familjare në Kosovë shpesh hasin në vështirësi që të paguajnë në kohë detyrimet e tyre. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), rreth gjysma e familjeve kosovare nuk munden të përballojnë një shpenzim të papritur prej 500 euro. Në përgjithësi, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve dhe qytetareve të Kosovës veçse kanë filluar t’i ndjejnë efektet ekonomike të kësaj situate. Probleme të ngjashme pritet të paraqiten edhe te një pjesë e konsiderueshme e sektorit privat, në veçanti te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Në anën tjetër, sektori bankar në Kosovë është mjaftë stabil, e që në masë të madhe vjen nga vet sjellja e qytetarëve kreditorë. Përkundër problemeve të vazhdueshme me sundim të ligjit në njërën anë dhe me gjendjen e rënduar ekonomike në anën tjetër, qytetarët e qytetaret e Kosovës vazhdojnë të paguajnë kreditë me rregull. Shkalla e kredive joperformuese në Kosovë është ndër më të ulëtat në Europë.
Paralajmërimet për dhënie të mundësisë për pezullim të pagesave të kësteve të kredisë bazuar në kërkesat e veçanta janë hap i mirë, përfshirë lehtësimin e procedurës administrative për këtë. Megjithatë, mund të jenë të pamjaftueshme në raport me situatën. Nga rreth 300,000 qytetarë që kanë kredi aktive, shumë prej tyre hyjnë në kategorinë e atyre që ndikohen nga kriza të tilla. Për më tepër, për shkak të vet natyrës së funksionimit të ekonomisë kosovare, shumë prej tyre do ta kenë shumë të vështirë të dëshmojnë vështirësitë financiare si rezultat i rënies së të hyrave personale apo biznesore.
Duke marrë parasysh këto, i ftojmë bankat komerciale dhe institucionet tjera financiare që në vazhdimësi të masave fillestare të rrisin përgjegjësinë e tyre shoqërore duke ndërmarrë veprime më të guximshme në lehtësimin e barrës financiare të qytetarëve të Kosovës këtë periudhë të vështirë.
Konkretisht, i ftojmë që:
1️⃣ Ta konsiderojnë ndryshimin e qasjes duke e bërë pezullimin e pagesave të kredive si rregull të përgjithshëm, ndërsa pagesat e kredive të kryhen vetëm nga ta që kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë; si dhe
2️⃣ Zgjatjen e afatit të pezullimit të pagesave për të paktën tre muaj.
Kjo nuk nënkupton heqje dorë nga të ardhurat dhe fitimi, por vetëm shtyrje e arkëtimit të një të ardhure e fitimi të tillë për shkak të situatës së jashtëzakonshme dhe pamundësisë objektive të një pjesë të madhe të kredimarrësve. Me qëllim të zbatimit të këtyre masave, kërkojmë që Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) si rregullator, të hyjë në dialog urgjent me sektorin bankar në Kosovë për të gjetur zgjidhje të përshtatshme për të gjitha palët.
3️⃣ Në anën tjetër, ftojmë Qeverinë e Kosovës që në kuadër të masave të ndërmarra t’u jap më shumë vëmendje qytetarëve dhe qytetareve në gjendje të vështirë ekonomike, qoftë nëpërmjet sigurimit të ushqimit, barnave e shërbimeve bazike, ashtu edhe nëpërmjet stimujve tjerë financiarë e jo-financiarë për ta. Situata e rënduar të cilën po e kalojmë nuk guxon të jetë shkatërruese për askënd. Vetëm në këtë mënyrë, Kosova do të tregojë që është shtet i të gjithëve pa përjashtim, sidomos në situata të krizave.
Organizatat e shoqërisë civile:
Demokraci për Zhvillim (D4D)
Demokraci Plus (D+)
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Instituti GAP
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)
Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK)
Instituti Kosovar pёr Hulumtim dhe Zhvillim tё Politikave (KIPRED)
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)
Lëvizja FOL
Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, Çohu!